8 Tetor, 2024 - 11:30 am
Shtëpia e lindjes e shkrimtarit të madh të letrave shqipe, Ismail Kadare, në Gjirokastër, i cili u nda nga jeta më 1 korrik të këtij viti, ka shënuar një numër të lartë vizitorësh.
Gjatë vizitës në muzeun “Shtëpia Kadare” vizitorët shfaqin interes jetën dhe veprat e Kadaresë, si dhe për shtëpinë, e cila prezanton një shtëpi tradicionale karakteristike gjirokastrite.
Drejtoria e Turizmit, Trashëgimisë dhe Sporteve në bashkinë e Gjirokastrës bëri të ditur për ATSH-në se, “ky muze nga janari deri në fund të shtatorit ka ngjallur kuriozitetin e vizitorëve vendas e të huaj mbi botimet letrare dhe reliket që kanë lidhje me jetën dhe krijimtarinë e Kadaresë”.
“Nga 1 janari deri në 30 shtator muzeu është vizituar nga 5501 vizitorë vendas e të huaj, ku një rritje e interesit u shënua në muajt korrik-gusht dhe shtator”, tha drejtoria e Turizmit dhe Sporteve në bashki.
Brenda banesës Kadare rikonceptimi i përmbajtjes garanton një rrugëtim interaktiv të vizitorëve përgjatë fëmijërisë dhe rinisë së shkrimtarit duke sjellë të materializuara në objekte dhe video- mesazhe përjetimet e autorit dhe pasazhe të librave të tij.
Në muze vizitorët mund të shpenzojnë kohë duke lexuar një libër brenda banesës, ose duke përjetuar efektet e avionëve bombardues në vendstrehimin mbrojtës.
Muzeu “Shtëpia Kadare” hapi dyert për vizitorët në 28 janar të vitit 2016.
Shtëpia daton në vitin 1799 dhe u rindërtua pas djegies aksidentale në vitin 1999, sipas përshkrimit që i bën vetë Kadare.
Projekti i rindërtimit u mundësua me fondet e UNESCO’S dhe qeverisë shqiptare. Banesa ndodhet brenda qendrës historike në lagjen “Palorto”.
Ka statusin monument kulture i kategorisë së parë, shërben edhe si qendër kulturore ku zhvillohen aktivitete të shumta.
“Shtëpia Kadare” është bërë e njohur për vizitorët falë romanit “Kronikë në gur” ku shkrimtari përshkruan çdo detaj të saj./ATSH