29 Gusht, 2021 - 11:28 am
Grupe të ndryshme foklorike u ngjitën në skenën e festivalit të traditës “Divani Lunxhot”, që u zhvillua në fshatin Dhoksat, një nga 100 fshatrat e përzgjedhur si destinacione turistike. Eventi artistik nuk e ndali zhvillimin e tij as në vitet e situatës pandemike, transmeton KultPlus.
Për organizatorët dhe pjesëmarrësit e eventit të rëndësishëm festa e kthyer tashmë në traditë, ndonëse ka mungesa në organizim kushtëzuar nga situata, ka rëndësi për të mbajtur të gjallë këtë festival që synon ruajtjen e traditës dhe promovimin e turizmit nëpërmjet kulturës dhe trashëgimisë edhe në kohë pandemie.
Festa e kthyer tashmë në traditë, ka risjellë në skenë shumë motive, këngë e koreografi të vjetra të grumbulluara me kujdes prej fokloristëve. Edicioni i 7-të i Divanit Lunxhot me larminë e veshjeve, risolli në vëmendje ruajtjen e kostumeve tradicionale dhe përcjelljen e teknikave të qepjes së tyre.
Në skenën e festivalit u ngjitën 7 grupe nga zona të ndryshme të Shqipërisë. “Divani Lunxhot” është i vetmi organizim i shpalosjes së traditës që zhvillohet jashtë zonave urbane, në një prej fshatrave me folklor të pasur dhe më me traditë të Lunxhërisë, sic është Dhoksati. /balkanweb/ KultPlus.com