“Gjithmonë me Gurakuqin”, ekspozitë e Muzeut Historik Shkodër

27 Shkurt, 2025 - 1:15 pm

Në mjediset e Muzeut Historik Shkodër u çel ekspozita “Gjithmonë me Gurakuqin”, kushtuar patriotit Luigj Gurakuqi në 100-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta.

Ekspozita paraqet sende personale të veprimtarit të çështjes kombëtare, botime dhe dorëshkrime. Artefaktet e paraqitura janë një pjesë e vogël e veprimtarisë së jashtëzakonshme të Gurakuqit, njërit prej iniciatorëve të shpalljes së pavarësisë.

Përgjegjësi i Muzeut Historik Shkodër, Sokol Parmeza, u shpreh për mediat se, “kemi për detyrë jo thjesht t’i rikujtojmë këto figura, por ta kthejmë shoqërinë tonë në përditshmërinë e saj, në ato ideale për të cilat ata dhanë jetën”.

Luigj Gurakuqi (Shkodër, 20 shkurt 1879 – Bari, 2 mars 1925) qe veprimtar i çështjes kombëtare dhe nënshkrues i dokumentit të shpalljes së Pavarësisë, njeri i letrave, arsimtar, linguist, ekonomist dhe personazh i politikës shqiptare çerekun e parë të shekullit të 20-të.

Në Qeverinë e Përkohshme të Vlorës u zgjodh Ministër i Arsimit. Mori pjesë në Konferencën e Londrës më 1913, me Ismail Qemalin e Isa Boletinin. Luigj Gurakuqi qe dhe një nga themeluesit e Komisisë Letrare më 1916. Udhëhoqi Revolucionin e Qershorit 1924 dhe u emërua ministër i Financave në qeverinë e kryesuar nga Fan S. Noli. Pas shtypjes së Revolucionit, u largua drejt Italisë, në Bari, ku më 2 mars 1925, u vra në atentat. / KultPlus.com

Të ngjajshme