10 Korrik, 2018 - 10:27 am
Shefqet Gjocaj do t’i rikthehet karriges së drejtorit të ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota”, nëse pas rizgjedhjes së tij të dytë për mandatin e dytë, Ministria e Kulturës dhe Këshilli Drejtues i Ansamblit nuk kanë bërë shkelje të procedurave të rekrutimit.
Pasi kishte marrë mandatin e radhës, në prill të këtij viti, procedura nëpërmjet së cilës ishte zgjedhur kishte rënë në kundërshtim me Ligjin për shërbimin civil, shkruan sot “Koha Ditore”.
Asokohe Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës kishte detyruar Ministrinë e Kulturës që të anulonte krejt procedurën dhe konkursi për këtë pozitë të kthehej në pikën zero.
Por Gjocaj, sipas njoftimit të cilin MKRS-ja e ka bërë publik të hënën, ka dalë i pari në garë me 88.5 pikë. Kundërkandidatë të tij kësaj radhe ishin Agron Gërguri, Ylber Asllanaj, Haki Mulliqi, Arta Mulliqi, Mehmet Xhemajli, Blerinë Rracaj.
Gjocaj ka thënë se pret që kësaj radhe përfundimisht do të zgjidhet çështja e drejtimit të “Shotës” për katër vjetët e ardhshëm.
Sherri i Ministrisë së Kulturës dhe Këshillit Drejtues të “Shotës”, ky institucion është tash e gati shtatë muaj pa drejtor./ KultPlus.com