25 Qershor, 2018 - 9:30 pm
Gjon Gazulli lindi në vitin 1440 në Raguzë. Ai ishte vëllai i Pal Gazullit dhe Andrea Gazullit.
Pasi kreu studimet në vendlindje, në moshën 25 vjeçare shkoi në Padova ku u doktorua në Universitetin e Padovës. Në një dokument të kohës thuhet: “Johannes Gini Gazulo, artium doctor, astronomus praeclarissimus” (Gjon Gjin Gazulli, doktor i shkencave dhe astronom shumë i çmuar). Sipas hostorianëve dhe studiuesve të tij, ai qe edhe profesor i Universitetit të Padovës, ku sot ndodhet fakulteti i juridikut.
Pa dyshim, ai ka qenë një ndër figurat më të shquara të shkencës evropiane të shekullit XV. Veprimtaria e tij shtrihet mes dy periudhave më të rëndësishme: Humanizmit dhe Rilindjes Evropiane.
Ai ishte astronom, matematikan, fizikan, filozof e diplomat, çka padyshim mund t’i japë atij statusin e “enciklopedisë” për kohën kur jetoi dhe veproi.
Ndër gjithë këto fusha, ato të dyja ku ai shkëlqeu më shumë janë astronomia dhe diplomacia. Duke qenë se ka kaluar shumë kohë, që të mund të hidhet dritë mbi jetën dhe veprën e tij, është e domosdoshme të gjurmohen arkivat e Padovës, e Budapestit, e Venecies, e sidomos e Raguzës (Dubrovniku i sotëm, vendi ku ai jetoi e punoi më gjatë).
Por edhe ndër arkivat private mund të gjenden materiale që kanë vlerë të madhe. Ndër to vlen të përmendim Arkivin e Fondeve Private Bassegli-Gozze.
Duke qenë se Gazulli ushtroi veprimtarinë e tij si në Itali e në Raguzë, ashtu edhe në shumë vende të tjera evropiane ku e çoi detyra e tij diplomatike e shkencore, të dhëna të vlefshme jep edhe literatura e kohës mbi këtë enciklopedi shqiptare.
Origjina e tij shqiptare është e dyshimtë. Studiues italianë janë të bindur se ai ka origjinë italiane. Studiuesit kroatë, sipas tyre, japin fakte të “pakontestueshme” se Gjon Gazulli ishte kroat nga Raguza. Ndërsa studiuesit shqiptarë e shpjegojnë prejardhen e tij shqiptare nisur nga mbiemri të cilin e lidhin me një fshat në një ndër krahinat e Shqipërisë së Veriut. Sipas tyre, ai mund ta ketë prejardhjen ng Mirdita, por nuk mungojnë as hipotezat se ai mund të jetë nga Zadrima apo edhe Kukli.
Gjon Gazulli mbylli sytë përfundimisht në Raguzë më 19 shkurt 1465 dhe la pas një emër dhe një vepër të shquar e cila vlen edhe sot për studime në fushat e astronomisë e diplomacisë, shkruan Konica.al./ KultPlus.com