30 Korrik, 2018 - 5:34 pm
Rruga shtrihet nga Kompleksi Memorial i Reçakut deri te “Kulla e Lirisë”, punimet e saj janë bërë nga Kryesia e Këshillit Turk në Kosovë (KFOR-i Turk).
Në Komunën e Shtimes e cila ndodhet në pjesën qendrore të Kosovës, ditë më parë u bë hapja e rrugës së ndërtuar duke filluar nga Kompleksi Memorial i Reçakut deri te “Kulla e Lirisë”, punimet e së cilës janë bërë nga Kryesia e Këshillit Turk në Kosovë (KFOR-i Turk).
Kjo rrugë e re, e cila lidh dy vende të rëndësishme për Komunën e Shtimes, atë të Kompleksit Memorial të Reçakut dhe “Kullës së Lirisë”, aty ku janë masakruar 45 civilë nga forcat serbe në vitin 1999, është hapur nga Kryesia e Këshillit Turk në Kosovë (KFOR-i Turk) në bashkëpunim me komunën.
Mirëpo ajo që i ka lënë përshtypje ish-kryeredaktores së gazetës “Zëri”, tani anëtare e Partisë Demokratike të Kosovës, Arbana Xharrës, është tabela njoftuese.
“Reçak, 26.07.2018, në inagurimin e rrugës dhe të Kullës, gjuha shqipe e katërta. Në këtë zonë ku u zhvilluan luftimet më të ashpra nga UÇK. Mjerim!”, është reagimi i saj në një postim në Facebook.
Rruga ka një gjatësi prej afro 1,5 kilometrash dhe punimet për hapjen e saj kanë nisur më 11 prill të vitit 2018.
Në hapjen e kësaj rruge morën pjesë kryetari i Komunës së Shtimes, Naim Ismajli, komandanti i KFOR-it Turk në Kosovë, koloneli Cem Sinan Barım, përfaqësuesit komunal, të Forcave të Sigurisë së Kosovës si dhe banorë të Shtimes./KultPlus.com