13 Janar, 2020 - 5:28 pm
”Vite ma përpara, aty nga viti 1993, më patën ra në dorë do albume të vjetra fotografish nga Polonia…dhe aty më pat qillue me pa fotot e tyne për herë të parë…ajo që më bani me shtangë nga habia ishte veshja e tyne me tirqe”, shkruan Ilir Seci përmes rrjetit social.
Ngjashmëni e pagabueshme, tirqit e bardhë me gajtana të zi në dy anet, forma identike, deri edhe zbukurimet e njajta në dy anët e xhepave. Albumi ishte polonisht, nji gjuhe që nuk e njihja dhe me të parin rast që mu dha, e dveta Profesorin e madh Ramadan Sokoli rreth këtyne fotove…
Profesori qeshi e me tha :
-“Ah paske pa fotot e Goraleve, malësoreve të Polonisë dhe Sllovakisë, ata jetojnë në zonën kufitare mes këtyne dy shteteve…
Janë ilirët tanë që mbetën si punë xhepash etnike në ato male derisa u sllavizuan gradualisht, por që me fanatizëm kanë ruejtë veshjen si dhe etnopsikozen e tyne para-sllave. Shekujt e influencës sllave kanë ba punën e vet por veshja dhe doket e tyne dëshmojnë qëndresën e tyne ndaj sllavizimit. Kanë shumë doke të ngjashme me ne, sidomos vallet e tyne janë kopje e valleve malësore tonat.”
Profja më habiti ma shume e ma shtoi kureshtjen…
Në vitin 2001 erdha në SHBA dhe puna e parë qe bana ishte me punue në një fabrikë ashensorash në Bronx, ngjitë me Stadiumin e skuadrës së famshme të bejsbollit “Yankee”, në krah temin qilluen disa polake punëtore të vjetër aty. Si e kanë zakon ata që kanë shumë kohë në një vend pune, njani prej tyne kishte vendosë nje kalendar nga vendlindja…ishte kaledari me foto te Goraleve, tana fotot ishin nga ajo krahinë malësore e Polonisë. Punëtori i vjeter që kishte vendosë kalendarin aty ishte Goral. Për nji vit që punova aty pata kohë me e pyetë ngeshëm shokun e punës Goral, ai për fat qilloi kuvendtar e më përgjigjej pa përtue aspak.
-“Na nuk jemi njisoj me polakët e tjerë” – më pat thanë Goralsi, – “Na kemi qenë aty kur erdhën këto fiset që krijuen Poloninë, sllavët erdhën me valë e ishin shumë, na mos me u perzie me ta mësyme Malet ku gjetëm strehe e mbojtje.”
Ajo që më tha ky zotnia në punë, si vendas nga zona e Malësorëve Gorale, më bani me iu futë nji kërkimi të palodhun rreth tyne, anglishten e njihja e iu hyna bibliotekave me rradhë. Ndër gjanat e para që mësova mbi Goralët ishin dy :
-Njëna ishte se antropologu ma i madh i botës Carleton S. Coon nga matjet e kafkave dhe përmasat trupore nuk i klasifikonte Goralët te Sllavët dhe e dyta ishte se Goralët ishin pa me sy të keq nga polakët sepse mbas pushtimit të Polonisë dhe Sllovakisë nga nazistët gjermanë, Goralëve iu ishte ba nji tjetër trajtim nga nazistët sepse nazistet nuk i kishin konsiderue sllavë Goralët. Goralët e shkretë për veti as ishin përfshi në fushata naziste as kishin ndërmarrë ndonjë sulm ndaj bashkëvendasve, por gjithsesi polakët ishin mbushë inat pse gjermanët nuk i kishin masakrue edhe ata njisoj…
Nga leximet mësova se ata jetonin kryesisht në Beskidet e famshme…Pse janë të famshme Beskidet? Profesor Çabej emnin e Maleve “Beskide” e ka shpjegue nga emni “Bjeshkë” dhe kjo teori ka marrë konsideratën dhe respektin e autoriteteve të etimologjisë kudo në botë.
Normalisht që sllavët do e kundërshtojnë këtë gja si kanë kundërshtue çdo gja tjetër, por vetëm sa e shtyjë pranimin e kësaj të vërtete sepse deri më sot nuk kanë arritë me gjetë tjetër shpjegim për atë emën…Gjuhëtarët normalë dhe ata neutralë sot e pranojnë botnisht :
“Origjina e emrit “Beskydy” nuk asht vërtetue përfundimisht. Ashtë sugjerue nji origjinë Thrakiane ose Ilire, (për citim të nevojshëm), megjithatë, asnjë teori nuk ka mbështetje të shumicës midis gjuhëtarëve. Fjala shfaqet në emna të shumtë malesh në të gjithë Karpatet dhe trevat fqinje të Ballkanit, si në Bjeshkën Shqiptare. Emni Sllovake “Beskydy” i referohet Maleve Polake Bieszczady, e cila nuk asht një sinonim për të tanë Beskids, por një gamë e vetme, që i përkasin Beskids Lindore. Sipas një teorie tjetër gjuhësore, ajo mund të jetë e lidhur me gjermanishten e Mesme të ulët gjermane, “beskēt”, që do të thotë “ujëmbledhës”. Historikisht, termi asht përdore për qindra vjet për me përshkrue vargmalin që ndan Mbretninë e vjetër të Hungarisë nga Mbretëria e vjetër e Polonisë. Në 1269, Beskidët njiheshin me emrin Latinisht “Beschad Alpes Poloniae” (përkthehet si: Malet Beskid të Polonisë)” –
Kuptohet që famëkeqja “Korrektëse Politike” ka me ushtrue presionin e vet edhe mbi këtë çashtje, si e ka ushtrue mbi tana çashtjet e tjera të kësaj natyre por tanë faktet flasin kjartë – Goralët nuk jane Sllavë…Emnin “Gorale” – shqip – “Malësorë” ua kanë dhanë polakët që u banë shumicë mbasi morën vendin, por kjo s’do me thanë që janë domosdoshmenisht sllavë…
-“A ka me u marrë kush ndonjiherë si duhet me këtë çashtje?” – kjo asht pyetja e duhun…Sepse ky subjekt meriton studim te fellë e meritor kur kemi parasysh se tek doket e zakonet e këtyne malësorëve beskidë, te instrumentet e tyne muzikore, janë konserveu disa nga elemetet ma të lashta iliro-trake, si Fustanella dhe Gajdja, (Bagpipe), që i kena vetëm na..
Nga Ilir Seci. / KultPlus.com