Gruaja e Okarinave – Pranvera Badivuku, nëna shembullore dhe zonja e muzikës së përjetshme

25 Prill, 2019 - 11:58 am

Arbër Selmani

I ka kaluar 74 dimra e vera, gjithmonë kreative dhe një shoqe besnike e notave muzikore.

Si shkrimtari i guximshëm apo ndërtimtari i sfiduar prej lartësive, Pranvera Badivuku, prej Shkupit drejt Pejës e drejt Prishtinës, ka dekada që prej mendjes nxjerrë notat e partiturave.

Një prej kompozitoreve të para në Kosovë, duhet falënderuar mendjen e Badivukut për disa melodi që sot muzika shqiptare i mban me krenari në sirtarin e saj të pasur. Pranvera Badivuku, nëna e Sihanës dhe Zanës dhe bashkëshortja e violinistit Hysen Badivuku ‘ngacmohet’ shpesh prej historisë, meqë nuk bën të përjashtohet prej historikut të muzikës shqiptare.

Pranvera Badivuku / Fotografia: Arbër Selmani

E takojmë Pranverën kësisoj, edhe tregimin e saj që edhepse i gjatë, dëgjohet me ëndje. Është ajo fajtorja që sot ne e kemi këngën “E kujtoj atë takim” në repertorin e muzikës shqipe, njëjtë sikur edhe këngën “Eja eja e bardha verë”. 

Pedagoge, mësuese, prej “Elena Gjikës” dhe “Emin Durakut” në Prishtinë e deri te Saraji i Shkupit, Pranvera Badivuku është një tregim pranvere, mbushur me pak stuhi dimri por me shumë aroma verore, me rreth 150 kompozime[i] por edhe të tjera që presin të realizohen.

Një këngë e shkruar për Nexhmije Pagarushën ka marrë fillimin e saj, së shpejti gati që ne ta shijojmë, me notat e Pranverës. Edhe ky është një tregim mes mini-tregimeve që na i shpalosë Badivuku.

**

Nuk e lëmë për më vonë faktin se Pranvera Badivuku, me kompozimet e saj i ka fituar pesë Okarina të Arta – çmimin kryesor të publikut në festivalin Akordet e Kosovës, i cili sot nuk ekziston dhe për gjeneratat e vjetra ka rrezik të kthehet në temë të panjohur e fushë të padiskutuar. Dhe Pranvera këtë sukses e arriti më shumë pak teknologji, e jo me teknologjinë e një kompozitori të këtij shekulli e këtij moderniteti.

Nga albumi familjar

E lindur në Pejë, Pranvera dhe familja e saj asokohe konsideroheshin si familje armiqësore. Ajo rritet me axhallarët e saj, me këtë pjesë të familjes, meqë babain do ta takonte shumë më vonë, tek në fejesë. Muzikalitetit të saj, i mungon babai. Ajo rritet pa baba por inspirohet që të nisë angazhimin e saj me muzikë qysh e vogël.

“Unë jam rritë pa baba. Për faktin se babai im ishte në burg në Shqipëri, familjen tonë e konsideronin si familje armiqësore. Axha im përfundoi Inxhinierinë e Urave në Zagreb, pra ishte me shkollë por prapë nuk gjente vend pune. E zëvendësoi një mesues në Pejë për një vit por prapë nuk gjeti punë. Në Shkup e gjeti punën. Atë vit unë e përfundova shkollën fillore dhe dëshira ime ishtë që të regjistrohesha në shkollën e muzikës. Kësisoj shkova me axhën në Shkup, dhe e dhashë provimin pranues. Bile më kujtohet që në fillim kam qëndruar te familja e Liliana Qavollit, aty kam fjetur, e më pas të nesërmen kur doli lista e studentëve të pranuar, e nisa jetën në vend tjetër” tregon Pranvera.

Nuk i shkoi asnjëherë mendja që nuk do të pranohej në shkollën e muzikës. Mendim i rrezikshëm për një vajzë e cila ishte në një rrugë të pacaktuar, me fatin mbret të rastësisë.

“Isha e bindur që do të pranohesha në shkollë atje. Shkolla ishte në maqedonisht, ishte paralele përgatimore, pra ishte një vit përgatimor dhe më pas klasa e parë e shkollës së mesme të muzikës. Kisha pak njohuri për muzikën sepse në klasën e tetë nuk kishim fare muzikë. Muzika gjithherë është parë si diçka e tepërt. Gjuhën e mësova më pas, axha më ndihmonte edhe me leximin e takteve – pjesëve ritmike, dhe kësisoj shpejt u bëra një prej studenteve më të dalluara” tregon tutje Pranvera.

Nga albumi familjar

Por skenari i jetës merr tjetër kahje.

Në vitin 1963, një tërmet i fuqishëm me magnitudë 6.1 godet Shkupin. Personalitete të ndryshme, mes tyre edhe Hrushçovi prej Rusisë, vinin në Shkup ta vizitonin qytetin dhe tmerret pas tërmetit. Kjo ishte kohë e përshtatshme për të arrestuar njerëz të profileve të ndryshme, herë-herë fshehtazi. Mes tyre, arrestuan edhe axhën e Pranverës.

“E morrën dhe e izoluan, edhepse më vonë e morra vesh se ishte burgim. Unë vazhdova, kërkova punë dhe e gjeta atë, në Saraj të Shkupit. Në shkollën Liria nuk gjeta punë sepse shkaku i tërmetit nuk lejohej as hyrje e as dalje e as ndërrim i stafit aktual, prandaj shkova në Saraj ku kam kaluar vitet e para të punësimit tim, dhe kam kujtime e mbresa të thella prej asaj kohe. Stafi atje ka qenë shumë mikpritës, fëmijët vinin prej fshatrave rreth Sarajit dhe ka qenë një periudhë e mirë e jetës sime” thotë Pranvera e muzikës shqiptare.

**

Kur punonte në radio, ajo u angazhua edhe me muzikën për fëmijë edhe për muzikën popullore. Gjithmonë e ka dashur sidomos muzikën për fëmijë dhe ardhjen e kësaj muzike në jetë, njëjtë si një fëmijë i posalindur.

“Atëherë e kemi pasë në planprogram sa kangë me i realizu çdo muaj. Nisën festivalet në Gjakovë, ku i dërgova disa melodi për fëmijë. Po në këtë kohë edhe u dhash pas qëndrisjes, kisha merak, i kisha disa revista italiane me modele të bukura, i blejsha çdo muaj dhe punova punëdore për vajzat, mbulesa” tregon Badivuku.

Youtube / Nexhmije Pagarusha

Prej vitit 1979, ajo angazhohet goxha shumë në muzikë. Me ftesën e Severin Kajtazit – redaktor i produksionit muzikor, ajo kalon në Radio. Radioja ka qenë pjesë e programeve dhe redaksive foljore, por aty ka qenë edhe produksioni – sot ku është KTV. Në kuadër të këtij produksioni, kanë ekzistuar orkestra popullore, orkestra popullore turke dhe orkestrat simfonike, krahas edhe korit profesional dhe korit të fëmijëve.

“Në redaksinë e muzikës për fëmijë kam qenë edhe unë, dhe është dashur që ti plotësojmë nevojat e televizionit dhe radios, kur kishin programe për fëmijë. I bënim 10 këngë çdo muaj. Është zgjedhë kanga, ka konkuru autori që e ka shkrujt kangën, është kontrolluar teksti, ka qenë edhe një poet që i ka korigjuar tekstet asokohe, ndërsa kur vendosej melodia shkonte për orkestrim. Këtu, vinte partitura e shkrume për instrumente, që secila orkestër ta kishte partin e vet, bëheshin ushtrime dhe inicizime, dhe pas matricës vinte këngëtari, zëri, bashkimi i bukur në fund. Unë ushtroja me këngëtarët në ndërkohë, ndërsa e pata formuar edhe një kor të fëmijëve me të cilët këndonim nëpër festivale”, tregon Pranvera.

Nga albumi familjar

Këngët për fëmijë gjithmonë i kanë pëlqyer. Të parat këngë për fëmijë i ka krijuar në shkollë të mesme, njërën edhe me tekst nga Anton Çetta. Më pas ndër vite, bashkëpunoi me Vehbi Kikajn, Agim Devën, Rifat Kukajn, Dibran Demakun dhe emra të tjerë që krijuan edhe për fëmijë.

“Vallja popullore” – Një këngë fituese në Akordet e Kosovës për fëmijë, kompozuar nga Pranvera Badivuku

“Shpresoj që edhe sot ka shkrimtarë për fëmijë, sepse nuk po i përcjelli shumë” thotë ajo.

**

Taksisti, një natë para se ta shkruaj këtë tekst, dëgjon në veturën e tij një këngë me këto vargje, ‘Plasa tuj të lutë, qaj moj vashë qaj e mos pusho..(.). pa të marrë se la’. Diskutojmë kush e këndon, Haki Misini apo Gazmend Pallaska apo…

“Kjo është muzika ma e mirë, muzika e lehtë qytetare. Haki Misinin unë e kam pëlqy shumë, por dihet qysh e pati fundin. Akordet e Kosovës asokohe i kemi pasë t`mira shumë” thotë taksisti, edhe unë rastësisht i them – “E njeh Pranvera Badivukun?”

https://www.youtube.com/watch?v=yvTCg1dfDqw
Youtube / PIKA

“E njoh, ose ka këndu ose ka qenë kompozitore, ka bo kangë, s`jom i sigurtë. Po si emër e di mirë bile….(.)….Luan Hajra masanej m`kujtohet, edhe Esat Bicurri, ky ka vdekë. Të gjithë vdesim një ditë!” e vazhdon taksisti dhe unë buzëqesh.

**

Pranvera e mban mend pasionin për muzikën prej kur nisi ta kuptonte veten dhe realitetin rreth saj.

Megjithatë, do të ishte viti 1973 që do t`ia sillte Pranverës suksesin e parë si kompozitore, si nënën e notave që iu mishëruan zërit të Esat Bicurrit. Bicurri, artist i madh shqiptar, këndoi në Akordet e Kosovës këngën “Eja eja e bardha verë” – me notat e thurura prej Badivukut.

Youtube / Jugoton Music

“Ishte një këngë e bukur e melosit popullor dhe një bashkëpunim i mrekullueshëm me Esat Bicurrin. U përsërit suksesi, prapë me Esat Bicurrin por tash me këngën e njohur “E kujtoj atë takim” tregon Pranvera.  

“Sot këtë këngë e këndojnë Aurela Gaçe, Yllka Kuqi, Adelina Thaqi, dikur e kënduan edhe Tonin Tërshana e Eduard Jubani. Është këngë të cilën e kanë kënduar të gjithë” tregon me krenari Pranvera.  Pak para këtyre sukseseve, ajo martohet me violinistin Hysen Badivuku dhe më pas lindin dy vajzat, Sihana dhe Zana.

Nga albumi familjar

“Bashkëshorti im ka qenë violinist në Orkestrën Popullore dhe Simfonike të Radio Televizionit Shqiptar. Njohja me të ka ndodhur në Shkup, atje ku edhe organizoheshin koncerte të ndryshme në shkollë, atje jemi njohur. Më pas ai erdhi në Kosovë, si bursist i Radio Prishtinës dhe nisi punën në orkestër. Unë krijimet e mia të para prej Shkupit i dërgoja në RTP dhe për këngën time të parë të pranuar më lajmëroi Hyseni. Kështu vazhdoi lidhja jonë, unë nga Peja e ai nga Vushtrria, që më pas do të kurorëzohej në martesë dhe në lindjen e vajzave” vazhdon Pranvera. Në Akordet e Kosovës të vitit 1983 ajo merr dy shpërblime – njërin për këngën “20 vjet të festivalit” dhe tjetrin për këngën “Je kujtimi më i vetëm” kënduar nga Sebahate Bërlajolli. Në vitin 1984 ajo merr Okarinën e Pestë, me këngë për fëmijë. [ii]

Do të vinin vitet e 90-ta, kur edhe Pranverës do ti pamundësohej të punonte në kushtet më të mira dhe ta shprehte talentin e saj në formën më të kompletuar.

“Kur erdhën vitet 90-ta, unë kam qenë 45 vjeçare, pra kam qenë në moshën kur njeriu është i pjekur dhe mundet me japë ma shumë, në vrullin e krijimtarisë dhe punës. 90-tat për të gjithë ishin të vështira, njerëzit mbetën pa punë. Burri im u angazhua gjithandej si muzicient, për mbijetesë. Në Hotel Grand, në katin e 13-të asokohe mbaheshin koncerte me muzikë të lehtë dhe evergreen, ku ai muzikonte me kolegët e tij. Më vonë nisi të udhëtonte për në Tetovë e Shkup, për ekzistencë. Unë isha në njëfarë mbyllje, sepse nuk kishim vullnet me kriju dhe prisnim të ndërrohej situata, e cila zgjati shumë”.

“Ne provuam që në vitin 1995 ta rikthenim festivalin Akordet e Kosovës, duke u ripërtërirë mbrëmjet e festivalit në disa qytete të Kosovës. U mlodhën redaktorët dhe planifikuam gjithçka, u nisëm për në Mitrovicë ku e di se dështuam sepse shkuam në një sallë ku luante një ekip i serbëve aty, basket në sallë, dhe bënin zhurmë me qëllim që ne të largoheshim. Dhe u larguam, por ditën tjetër na u mundësua mbajtja e natës për fëmijë. Në Prizren poashtu e mbajtëm një koncert, por në Prishtinë nuk na lejuan asnjëherë ta mbanim. Më kujtohet që provat asokohe i majshim në banesën time, me fëmijët, ndërsa incizimet në shtëpinë e redaktorit të programit muzikor asokohe, Musa Tolaj, të cilin edhe e vranë gjatë luftës. Ishte një orvatje të cilën nuk e përfunduam me sukses” tregon Pranvera.

**

Pranvera Badivuku nuk njeh pleqëri. Sytë e rrudhat po, por jo edhe inspirimi e saj për të krijuar muzikë. Sipas saj, bota ka ende nevojë për muzikë të re, dhe notat nuk janë harxhuar akoma.

Kohëve të fundit, ajo ka bashkëpunuar me të ndjerin Hivzi Krasniqi. Është e lënduar që ai vdiq vetëm javë më parë. Flisnin bashkë për një këngë për grupin Sofra Pejane, ‘që nuk paska qenë kismet’.

Pranvera Badivuku / Fotografia: Arbër Selmani

“E kam dashur një këngë për Sofrën Pejane dhe thashë me vete – vetëm Hivziu atë tekst mundet me e bo. E gjeta numrin e tij dhe po flisnim në Viber, i tregova titullin – se zakonisht ia caktoja titullin dhe ai krijonte, dhe nuk shkoi gjysmë ore e ai nisi ta shkruante tekstin në Viber, për Sofrën Pejane. I shpejtë si gjithmonë. E pyeta pas pak ditësh nëse Ramadan Krasniqi ishte pjesë e këtij grupi, dhe ai ma ktheu – Kur të duash shkojmë në Pejë dhe e mbledhim krejt grupin. Por nuk paska qenë kismet” thotë Pranvera.

Peja shtron sofrën plot bereqet
Sofrën pejane si e ka adet
çka të don shpirti në sofër e ke
Ejani në Pejë, këndoni me ne
(Tekst i shkruar nga Hivzi Krasniqi, i botuar këtu me leje nga Pranvera Badivuku)

Derisa presim ta dëgjojmë këtë poezi të shndërruar në melodi kënge, Pranvera ka një tjetër peng njomak. Dedikuar Nexhmije Pagarushës, Bilbilit të Këngës Shqipe, ajo i ka kompozuar një këngë tekstit të Ramazan Çekës, me zërin e Selami Kolonjës.

LAURESHA KOSOVARE

Buzqesh mali, lulzon fusha
Mrizojnë delet n’hije t’bjeshkës
Me za t’bukur Pagarusha
Ja merr kangës së bareshës

***
Ti për kangën je mbretnesh’
Je simbol i kang’s shqiptare
Zani jot si lauresh’
Mrekullia kosovare
(Marrë nga Ramazan Çeka – Facebook)

“Nexhmija e ka ditëlindjen në fillim të majit, nëse nuk gaboj, dhe i kërkova Selami Kolonjës që të orkestrohet e realizohet kënga deri atëherë, që t`ia bëjmë një dhuratë Nexhmijës, pasi kënga është shkruar enkas për të. Unë jam takuar me tekstshkruesin kur erdhi në Prishtinë, dhe ky tekst menjëherë ma dha idenë që të shkruaj dicka, të kompozoj diçka” më tregon Pranvera derisa e këndon pak melodinë e menduar si qëndisjen finale krahas tekstit.

Njëjtë, një këngë për Pejën që do ta këndonte Sebahate Bërlajolli, por edhe asaj nuk i erdhi radha, kismeti.

Pranvera Badivuku / Fotografia: Arbër Selmani

Mes këngëve tjera që Pranvera Badivuku i ka kompozuar nëpër vite janë edhe ‘Kur ta fal’ një tufë gershete’ interpretuar nga Nexhmije Pagarusha e Ismet Bogujevci në Akordet e vitit 1981, ‘Vel ylberi i dashurisë’ interpretuar nga Emine Hasimi në Akordet e vitit 1986, ‘Për ty vuaj për ty këndoj’ nga Nexhmije Pagarusha, ‘Kujtimi rinor’ nga Hermina Lekaj, dhe plot këngë tjera. 

 “Tash jam në pension, jam më e lirë në pikëpamje të angazhimeve. Megjithatë ende krijoj, madje u fali këngë njerëzve, po ua dhuroj e ata duhet të shpenzojnë për t’i orkestruar ato. Pas tërë këtyre viteve në punë pedagogjike, si redaktore e producente e muzikës për fëmijë në RTP, po pushoj” tregon Pranvera, grua që në çdo fjalë rezonon dashuri për muzikën dhe çdo dritë prej fytyrës së saj tregon për një grua me jetë të lumtur dhe përmbushje afër muzikës.

(Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e autorit Arbër Selmani dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian ose BIRN-it ose AGK-së ).  


[i] https://www.kultplus.com/muzika/pranvera-badivuku-gruaja-e-pese-okarinave-te-arta/

[ii] https://www.kultplus.com/muzika/pranvera-badivuku-gruaja-e-pese-okarinave-te-arta/

Të ngjajshme