28 Mars, 2018 - 4:40 pm
Gjatë një prej masakrave më të mëdha që kanë ndodhur në shekullin e kaluar, Holokausti, miliona hebrenjë nga vende të ndryshme të Evropës gjetën vdekjen në kampet e përqëndrimit.
Holokausti, tmerri që nisi nga Hitleri dhe u përqafua nga shtetet tjera evropiane, ka prekur asokohe edhe qytetarët e Jugosllavisë. Sidomos vlen të kujtohet historia e Lea Ofner Szemere, një grua e cila pati fatin e keq të mos e shijojë asnjëherë jetën e saj.
Po e kujtojmë Lea Ofner Szemere. E lindur në vitin 1922, në Sombor të Jugosllavisë, sot një pjesë e Vojvodinës, Lea do të shkonte në Vjenë ku e kaloi fëmijërinë.
Nëna e saj po jepte mësim në Austri, gjuhët angleze dhe franceze. Fëmijëria e saj do të ishte e këndshme në Vjenën e bukur. Ajo megjithatë nuk do ta dinte çka po e priste, njëjtë si shumë hebrenjë të tjerë.
Në mesin e viteve 1933-1939 ajo çdo verë do të kthehej në Sombor në Jugosllavi për të qenë më afër familjes së saj. Këtu do të kalonte kohë të mirë me vëllaun – Francis, dhe me motrën Julia.
Në vitin 1940-44 Lea shkon në Budapest ku punon si infermiere në një spital për hebrenjtë. Këtu edhe gjen dashurinë e jetës, Tamasin, një doktor, me të cilin ajo më pas martohet.
Në vitin 1944, ajo ishte shtatzënë kur trupat gjermane pushtojnë Hungarinë. Bashkë me 96 hebrenjë të tjerë, Lea dhe burri i saj dërgohen për në Aushvic, aty ku thuhej se njërzit po vriteshin në baza ditore dhe më as nuk po mbahej llogari. Tri ditë, ky udhëtim do të kalonte pa ujë e pa ushqim, shkruan KultPlus.
Kur hapet treni nga burrat e SS, Lea është e vdekur me foshnjën e saj të cilën e kishte lindur gjatë udhëtimit. Tamas është i shtrirë afër tyre, ai e ka vrarë veten.
Pos kësaj historie, janë edhe të tjera histori të tmerrshme të grave nga Jugosllavia të cilat pësuan në Holokaust. / KultPlus.com