17 Janar, 2023 - 12:20 pm
KultPlus e risjell intervistën me Edi Shukriu që është realizuar me rastin e fundvitit 2021 nga kryeredaktorja e KultPlus, Ardianë Pajaziti.
Gjithçka është e pazakontë te kjo grua, emri i saj përfundon me prapashtesën i, që nuk është i zakonshëm te emrat e vajzave shqiptare, si vajzë e re është sfiduar edhe në boks, dhe në vitet e 60-ta, kur shumica e vajzave ëndërronin të bëheshin mësuese, ajo guxoi të ëndërronte për arkeologjinë. Është gruaja që kaloi rreth dhjetë vjet me Ukshin Hotin, dhe gruaja që qëndroi politikisht afër Ibrahim Rugovës. Edhe sot vazhdon të jetojë në të njëjtën banesë ku kishte jetuar me Ukshin Hotin, në lagjen Ulpiana, dhe pikë të dobët ka Parkun Arkeologjik “Ulpiana”. Edi Shukriu, në një intervistë për KultPlus ka dhënë detaje për krejt këto zhvillime, për studimet në Beograd, për jetën me Ukshin Hotin, divorcin, angazhimin politik përkrah Ibrahim Rugovës. Në këtë intervistë, ajo shpalosë edhe karakteristikat për këto dy figura të popullit shqiptarë.
Ardianë Pajaziti
Hapat e saj të vegjël nëpër kalldrëmin e Prizrenit, kureshtja e saj për ata gurë që shtronin rrugicat ku shëtitej me prindërit dhe vëllain e saj, ngjitja e shpeshtë deri të Kalaja e këtij qyteti, në shpirtin e saj kishin zgjuar një dëshirë të pazakontë për kohën në të cilën jetonte. Përderisa, shumë prej moshatareve të saj dëshironin të bëheshin mësuese, infermiere, e ndonjë edhe mjeke, Edi Shukriu ishte mes dilemës së arkitekturës dhe arkeologjisë. Dy profesione jo të shpeshta, as për djemtë e asaj kohe, e lëre më për vajzat.
“Dëshira për të studiuar arkeologjinë, mendoj se lindi nga ngjitjet e mia të shpeshta deri të Kalaja e Prizrenit. E mendoja si qendrën e botës, dhe njësoj e vlerësova deri në kohën kur udhëtova në shumë anë të botës, dhe pashë shumë e shumë kala, dhe atëherë e kuptova se Kalaja e Prizrenit, që e mendoja aq madhështore, në fakt nuk ishte kala, por një rrënojë, por një rrënojë që zgjoi te unë shumë dashuri për arkeologjinë”, kujton fillimet e saj Edi Shukriu, e cila për KultPlus tregon se po mos të ishte kjo pikë e Prizrenit, dhe vizitat e saj nëpër vende të ndryshme, nuk do të lindte dëshira për krahasime, pikë vendimtare e arkeologëve për gjetjet nëpër periudha të ndryshme kohore.
Po aq sa e inspiroi Prizreni për arkeologji, një pjesë të ‘fajit’ e ka edhe Shkupi, vend në të cilën Edi e kalonte një pjesë të madhe të kohës, pasi që në atë qytet i jetonte gjyshja.
Kurse guximi për të ëndërruar drejt një profesioni kaq të rrallë në Kosovë, ishte guxim që ishte ndërtuar në familjen ku edhe rritej Edi Shukriu. Ajo kujton për lexuesit e KultPlus, se edhe babai i saj kishte punuar shumë për trashëgiminë kulturore, se mamaja kishte një shkollë shumë të veçantë, atë të jetës, dhe këto dy elemente kishin bërë që në këtë familje guxonin të ëndërronin. Njëri mysliman, e tjetra katolike po mundoheshin të hapnin portat për dy fëmijët e tyre, e që Edi kujton se mamaja, babit të saj ia mësoi gjuhën shqipe, pasi që, Edi kujton se familjet e Prizrenit flisnin një gjuhë shqipe të çaluar, por se nëna Margaritë ia mësoi gjuhën e rrjedhshme shqipe.
Në Beograd nisa studimet në vitin 1968, vit kur në Kosovë kishin nisur shkundjet e para shqiptare nëpërmjet protestave
Dhe përderisa ëndrra e saj për një arkeologe të ardhshme po merrte formë, tashmë kishte dilemën tjetër, se nëse do të duhej të studionte në Zagreb, që aq shumë e dëshironte, apo në Beograd, ku për shkak të rrethanave, u detyrua të zgjedhë këtë të dytën.
“Udhëtimi për Zagreb ishte shumë i gjatë, kurse në Beograd ishte më afër. Udhëtoja tërë natën, dhe në mëngjes isha në Beograd, kurse në Zagreb, më duheshin edhe 12 orë shtesë”, kujton Edi Shukriu, e cila studimet e arkeologjisë i nisi në vitin 1968, vit kur në Kosovë kishin nisur shkundjet e para shqiptare nëpërmjet protestave, e shkundje që e vështirësonin stabilitetin e studentëve shqiptarë në Beograd, të cilët nuk ishin të paktë dhe studionin në drejtime të ndryshme.
Edi Shukriu kujton edhe dallimet që kishte nuhatë edhe nga ana e profesorëve, kur shpesh herë ishin shumë më kërkues ndaj saj si studente shqiptare, se sa te studentët vendës, padrejtësi në nota dhe në shumë ngufatje të tjera, por që Edi Shukriu i vlerëson edhe si pozitive.
“Kisha një profesoreshë të frëngjishtes, që ishte serbe por që vinte nga Kroacia, aq kërkuese ishte ndaj meje, sa detyrohesha të mësoja aq shumë, vetëm që të mos më zinte ngushtë. Por si rezultat i kërkesave të saj, unë më vonë isha falënderuese, sepse, gjuha frënge është gjuha që e zotëroj më së miri, pas gjuhës shqipe”, kujton Edi Shukriu.
Viti i parë dhe i dytë i studimeve, në kryeqytetin e Serbisë nuk ishte i lehtë për Edi Shukriun edhe sa i përket anës së financave. Nuk i ishte siguruar ndonjë bursë, dhe studimet kishin rënë mbi barrën e familjes së saj.
“Më ka ndodhë që ndonjë ditë të mos ha ushqim, shumë shpesh më duheshin paratë edhe për blerje të librave, dhe detyrohesha që të rrija pa ushqim. Por këtë gjë nuk ia kam thënë asnjëherë prindërve, tash po e them, sepse të dy më nuk janë në mesin e të gjallëve”, rrëfen Edi Shukriu, e cila më pas detajon se pas vitit të dytë, bursa i ishte siguruar nga Universiteti i Prishtinës, dhe studimet ishin pak më të lehta. Dhe pas përfundimit të fakultetit, Edi Shukriu vazhdoi edhe magjistraturën, dhe paralelisht punonte edhe në Muzeun e Kosovës, për të vazhduar më pas edhe doktoraturën në Universitetin e Prishtinës, ku edhe mbrojti tezën mbi qeramikën e helenizuar të epokës së Hekurit në Kosovë (shek. VI-IV p.K) “Dardanët janë ilirë”, tezë që u mbrojt edhe para mentorëve serb, në vitin 1990.
Në Gradinën e Gadimes së Epërme po bëja kërkime arkeologjike, aty erdhi të më takojë Ukshin Hoti
Përderisa jeta e saj prej arkeologe po pasurohej edhe me hulumtime të herë pas hershme brenda lokacioneve arkeologjike të Kosovës, Edi po synonte edhe mësimin e gjuhës angleze, e që po shikonte ndonjë alternativë që të shkonte në Angli, për të mësuar gjuhën angleze.
Ishte viti 1972, koha edhe kur kishte përfunduar studimet në Beograd, dhe bashkë me mamin e saj ishin drejtuar në një zyrë, që të bënin kërkesën që ta mbështesnin për udhëtimin në Angli.
“Në atë takim na priti Ukshin Hoti, atëherë ishte në një pozitë që nuk e kishte titullin e ministrit të punëve të jashtme, por që në ato kompetenca ishte. Nuk u mbështeta për këtë udhëtim, por ky udhëtim ishte shkas që të njihem me Ukshin Hotin”, tregon Edi Shukriu.
Dhe, përderisa i kishte dështuar udhëtimi në Angli, Edi bashkë me një grup të arkeologëve po bënin hulumtime në Gadime të Epërme. Dhe në kodrën e Gadimës, Ukshin Hoti ishte ngjitur për ta takuar Edin, ku sipas saj, pas disa takimeve të shpeshta, ata edhe u lidhën, lidhje që solli edhe vendimin për martesë, në vitin 1974, ku nga ajo martesë kanë vajzën Erletën.
E kujton si njeriun që ka njohur më së miri marrëdhëniet ndërkombëtare, si një njeri që ka ditur shumë gjuhë të huaja, e që shumicën prej tyre, sipas Edit, i ka mësuar vet, si një njeri me një dashuri të paparë për kombin, e që sipas saj, nuk sheh aq shumë të tillë me këto karakteristika.
Edi me fjalë të pakta kujton jetën me Ukshin Hotin, jetë që e kishin bërë në banesën e vogël në Ulpianë, ardhjen në jetë të Erletës, rënien e tij në burg në vitin 1981, por edhe lirimin e tij nga burgu në vitin 1985, e që nuk doli të jetë me fat për familjen tre anëtarëshe, pasi që, ashtu sikur edhe kujton Edi Shukriu, Ukshini kërkoi divorcin, dhe familjes së re i iku fija e lumturisë.
Kur e pyes se çfarë dokumenti, letër apo ndonjë gjë personale të Ukshin Hotit e posedon edhe sot, Edi refuzon të flas. Ajo thotë se ka gjësende të Ukshin Hotit, por nuk dëshiron ti bëj publike, për faktin se, shumë të tjerë e kanë keqpërdorë emrin e tij.
“Unë dhe vajza ime jemi kujdesur shumë që ta ruajmë imazhin e tij, e kanë keqpërdorë shumë emrin e tij. Kanë shkruar shumë për Ukshinin, kanë bërë filma dokumentarë, kurrë askush nuk erdhi të më pyes rreth Ukshinit. Asnjë film nuk vlen, sepse mungon shumëçka në ato realizime. Kam qenë kundër edhe për Muzeun e Ukshin Hotit në Krushë të Madhe, ky kundërshtim erdhi si rezultat i asaj, sepse me atë muze ata e grimcuan Ukshinin, e ulën në nivele lokale, e Ukshin Hoti ishte i krejt Kosovës, nuk ishte vetëm i Krushës së Madhe”, shprehet Edi Shukriu, e cila vazhdon të jetojë edhe më tutje në banesën ku kishte jetuar me Ukshin Hotin, e që së fundi, kishte gjetur edhe një fletë dërgesë të burgut, kur i kishte dërguar ushqim e cigare. “Ishte data dhe përshkrimi, i dërgoja ushqim e cigare, në atë kohë pinte “Kent”, tregon Edi, për ato kujtime, e që vajzës i thoshte atëherë se babi po punonte, e asnjëherë si kishte treguar se ai ishte në burg.
Se kanë humbur shumë dokumente, materiale të rëndësishme, Edi Shukriu kujton edhe hyrjet e shpeshta të policisë serbe, e që sipas saj, sa herë që kanë hyrë në banesën e tyre, ata kanë marrë gjësende të ndryshme.
Jam arkeologia e parë që kam iniciuar hulumtime të nivelit ndërkombëtar në Ulpianë, bashkë me një koleg timin futëm edhe para tona, sepse nuk patëm mbështetje
Profesoreshë e UP-së, akademike, publiciste, poete dhe një grua aktiviste, Edi Shukriu konsiderohet si arkeologia e parë që ka iniciuar hulumtime të nivelit ndërkombëtar në lokacionin e Ulpianës, e që sipas saj, para luftës ishin bërë nga arkeologë serb dhe ekipe prej Beogradit.
“Hulumtimin në nivel ndërkombëtar e realizova me një profesor francez, e që ishte prej vitit 2006 e deri në vitin 2010, po sikurse në çdo fushë tjetër, edhe në këtë pikë patëm probleme financiare. Më vinte keq që ti tregoja profesorit francez se kemi probleme me financa, unë dhe një ish student i imi futëm mjetet vetanake, kolegu im që i dha paratë për hulumtim, ato mjete i kishte të ndara për blerjen e një banese, por i futi bashkë me mua në hulumtim”, tregon Edi, e cila shprehet të jetë e lumtur se hulumtimet po ecin edhe sot, por, sipas saj jo në tempo të duhur.
Edi Shukriu, e cila në rininë e saj u sfidua edhe në skijim, boks, pingpong e hendboll, duket se nuk mjaftohej me angazhimet. Duke anashkaluar krejt titujt shkencor, angazhimin institucional dhe atij prindëror, bashkë me shumë gra të tjera, shumë shpesh dolën rrugëve të Prishtinës, për të kundërshtuar terrorin serb, e që shumë shpesh ishin të rrethuara nga forcat serbe.
“Nuk mendonim për vete në atë kohë, ishte një proces i përgjithshëm. U pata propozuar që të jem edhe në kryesi të LDK-së, po nuk pata pranuar. Vajza më rritej pa baba, kisha frikë se mund të më burgosnin edhe mua, edhe nuk ishte e lehtë ta lija vajzën pa asnjërin prind”, tregon Edi, e cila, pos që kishte fatin të kishte për bashkëshort njërin prej figurave më të rëndësishme të historisë shqiptare, ajo në të njëjtën kohë punonte afër një njeriu shumë të rëndësishëm për popullin shqiptar, Ibrahim Rugovës.
Rugovën e kujton si një njeri që e ka njohur më së miri mentalitetin shqiptar, një njeri që ka pas shumë guxim për rrethanat më të vështira të shqiptarëve.
“Por unë mendoj që një njeri duhet të shihet në krejt kompleksitetin e tij, shumë herë më është kërkuar që të shkruaj rreth Rugovës, por kam refuzuar. Refuzoj të shkruaj në superlativ për njerëzit, sepse kështu po krijojmë mite, e duke krijuar mite, jemi aty ku edhe jemi”, ka thënë Edi.
Vazhdon të jetojë edhe më tej në banesën e njëjtë ku edhe e kurorëzoi martesën e saj me Ukshin Hotin. “Shumica e interierit është e njëjtë, sikurse ai i viteve të 70-ta. Edhe muret janë kujtesë”
Kjo grua që në lëkurën e saj ka përjetuar rëniet dhe ngritjet, momentet kur njerëzit bëheshin se nuk po e shihnin në rrugë, vetëm për faktin se Ukshini ishte në burg, momentet kur duhej të ishte vetë nënë e vetë baba, kohën kur dilte me një bukë në dorë, për të kundërshtuar regjimin e Millosheviqit, kurrë asnjëherë nuk e kishte menduar që të ikte e ta linte Kosovën.
“Edhe si fëmijë patëm pas një krizë, kur babi ngeli pa punë për një vit, dhe menduam të shkonim në Zarë të Kroacisë, falë të afërmeve të mamit. Babi na përgatiste për këtë udhëtim, duke na treguar rrëfime për detin, lundrat e shumëçka rreth jetës në bregdet. Ishim në pikën e fundit për udhëtim, nëna ime refuzoi. ‘Nuk mund të lë kalldrëmin e Prizrenit’, pati thënë nëna, fjali që vendosi përfundimisht jetesën tonë në Kosovë. Si duket edhe unë kam trashëguar këtë element nga nëna ime. Kam pas mundësi të udhëtoj në shumë vende të botës, por asnjëherë se kam menduar të lë Kosovën”, shprehet Edi.
Me titullin akademike, me një emër të çuditshëm për emrat e vajzave shqiptare, pasi merr prapashtesën i, Edi Shukriu që ka publikuar shumë punime shkencore, ka shkuar deri në Harvard dhe ka publikuar edhe poezi. Krejt këtë angazhim shkencor, human e letrar e vlerëson si një punë që e ka bërë pse është dashur ta bëj, pa i menduar asnjëherë pasojat.
Deputete, themeluese e Forumit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, themeluese e partisë Alternativa Demokratike e Kosovës, anëtare e Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve në Salzburg, 71 vjeçja, vazhdon të jetë edhe sot aktive, e që vazhdon të jetojë edhe më tej në banesën e njëjtë ku edhe e kurorëzoi martesën e saj me Ukshin Hotin. “Shumica e interierit është e njëjtë, sikurse ai i viteve të 70-ta. Edhe muret janë kujtesë”, tregon Edi, e cila përkundër shumë peripecive, ka një humor shumë të theksuar.
Dhe në momentin kur po mendoja se po mbyllej kjo intervistë, Edi Shukriu më zbuloi diçka nga thesari i përbashkët me Ukshin Hotin. “Kam një shigjetë nga Ukshini, e solli prej Afrikës”, ishte pjesa që zbuloi, pa dhënë më shumë detaje se edhe çfarë gjësende apo dokumente zotëron kjo grua, që hulumton në lokacionin Ulpiana, dhe vazhdon të jetojë në lagjen Ulpiana./ KultPlus.com