31 Tetor, 2018 - 10:00 pm
Hajrullah Ceku ishte njëri nga zv.ministrat në Qevërinë Rama nga Kosova, ai për nje vit kishte qëndruar në këtë post ku sot dha doreheqje për një arsye që nuk ndodhë zakonisht në shoqerinë tonë shqiptare, ku babai lirohet nga detyra për t’u kujdesur për bebën.
Ja postimi i tij:
Të nderuar miq, Pas një periudhe shumë të gjatë përpjekjesh dhe mundimesh, Eli dhe unë jemi të lumtur që më në fund kemi nisur rrugëtimin tonë për t’u bërë prindër, një nga qëllimet dhe dëshirat tona jetësore. Deri në këtë pikë kemi arritur me shumë sakrificë dhe të dy jemi tërësisht të përkushtuar që ëndrrën tonë për t’u bërë me fëmijë ta jetësojmë me sukses. Ky moment i ri në jetën tonë më ka bërë të rimendojë gjithë situatën dhe angazhimet e mia aktuale, marrë parasysh edhe faktin që gjatë kësaj periudhe Eli dhe unë kemi jetuar të ndarë, me lëvizje të kufizuara mes Prishtinës dhe Tiranës. Ajo që e mendoj me mendje dhe e ndiej me shpirt në këtë moment është kjo: duhet ta bëj pjesën që më takon. Dhe kjo parasëgjithash nënkupton prezencën fizike pranë saj. Për hir të së vërtetës, dhe sepse biologjia na e përcakton kështu, pjesa dërmuese e sakrificës së bërë deri tash mban firmën e Elit. Prandaj edhe besoj që nga tani e tutje më takon të mbart më tepër mbi supe. Jo se ndonjëherë do të arrij në nivelin e njëjtë me të, por të paktën dua të sigurohem që e jap të gjithën që mund ta jap. Për këtë shkak, duke u mbështetur në mirëkuptimin dhe përkrahjen e tij, nga Kryeministri Rama kam kërkuar të më lirojë nga detyra e zëvendës ministrit të turizmit dhe mjedisit në qeverinë e Shqiperisë. Këta 13 muaj në Shqipëri kanë qenë përvoja më fantastike e angazhimit tim profesional dhe publik. Si pjesë e një ekipi të përkushtuar, jam i lumtur që m’u ofrua mundësia për të kontribuar në atë që u cilësua një nga sezonet më të mira turistike. Mundësia për t’i shërbyer Shqipërisë ka qenë motivi im kryesor për të pranuar detyrën, ndërsa ofrimi i këtij shërbimi nën drejtimin e Kryeministrit Rama e bën këtë shërbim përvojë të papërsëritshme jetësore. Thellësisht mirënjohës dhe më shumë se asnjëherë më parë i përkushtuar për të vazhduar shërbimin ndaj Shqipërisë në forma të tjera, me fokus në thellimin e bashkëpunimit me Kosovën. Ju dëgjofsha të mirën gjithmonë. Hajra / KultPlus.com