Halili: Përmbyllet digjitalizimi i arkivit të ish-Radio Prishtinës

24 Janar, 2025 - 12:30 pm

Është përmbyllur me sukses procesi i digjitalizimit të arkivit të Radio Prishtinës.

Rreth 11 mijë ekzemplarë të arkivit tashmë janë kthyer në jetë dhe janë të gatshëm për transmetim. Drejtori i Radio Kosovës, Arsim Halili, ka theksuar se ky ka qenë prioritet, mision dhe detyrë e transmetuesit publik, teksa digjitalizimin e këtij arkivi ai e ka quajtur si ‘thesar të trashëgimisë kulturore’.

Në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovē” në RTK Halili bëri me dije se shiritat kanë qenë të vendosur në fonotekën e Radio Kosovës. Ai tregoi se pas një ekspertize që e kanë bërë përfaqësuesit e EBU-së në vitin 2015, kanë treguar që këto materiale kanë qenë të ruajtura mirë, për shkak se e kanë pasur kopertinën prej kartoni, e cila i ka mbrojtur prej kohës.

Ai tregoi se ka pasur sfida dhe hezitime të ndryshme, por edhe shumë takime përgatitore, në mēnyrë që kur t’i hyjnë këtij procesi të mos hasnin telashe të tjera.

“Kemi pasur takime të rregullta me stafin e produksionit, me ekspertët që kanë qenë të ‘Radio Prishtinës’, që tashmë veç janë pensionuar. Ata na kanë ndihmuar me ekspertizë, se si t’i qasemi këtij procesi. Ka pasur dilema të ndryshme për t’i ndjekur standardet e ndryshme ndërkombëtare që janë për arkivimin e materialeve. Pasi i kemi zgjedhur këto dilema, kemi kërkuar ndihmë prej ‘Radio Shkupit’, për shkak se është dashur të kemi një shirit testues, i cili do ta bëjë kalibrimin e kētyre pajisjeve që ne i kemi pasur në dispozicion, dhe pas një përgatitje dymujore, e kemi filluar këtë proces”, tha ai.

Ai tha se tashmë procesi është finalizuar në tërësi.

“Materialet janë tërësisht të digjitalizuara. Më herët ka pasur tentativa për digjitalizim të pjesërishëm, por e kam parë të domosdoshme të digjitalizohen komplet, prej shiritit të parë deri në të fundit”, shtoi Halili.

Ndër të tjera, ai tha se gjatë këtij procesi janë gjetur materiale të vjetra të vitit 1954.

“Ka këngë të asaj periudhe popullore, argëtuese, po ashtu kemi një opus të gjerë të krijimtarisë artistike të radiodramave që janë krijuar nga plejada më e madhe e artistëve. Ka emisione foljore, ka fjalime politike të kohës, ka materiale edhe të muzikës serioze që është krijuar në atë kohë nga kompozitorë vendorë, materiale të Ilojeve të ndryshme, shumica në gjuhën shqipe. Ka materiale edhe në gjuhë te komuniteteve, në gjuhën serbe dhe turke. Të gjitha janë digjitalizuar, pa përjashtim”, tregoi Halili.

Janë gjithsej rreth 11 mijë ekzemplarë që janë digjitalizuar pēr një periudhë prej 19 muajsh.

“E kemi nisur punën në maj të vitit 2023 dhe e kemi përfunduar në fund të vitit 2024. Janë digjitalizuar 10 723 shirita në kohëzgjatje prej 3 718 orë e 48 minuta”, tha Halili. /rtklive/ KultPlus.com

Të ngjajshme