2 Gusht, 2019 - 9:01 am
Në Kalanë e Prizrenit është hapur ekspozita arkeologjike.
I pranishëm në hapjen e ekspozitës ishte edhe i pari i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi.
Me këtë rast, ai tha se përmes kësaj ekspozite paraqitet trashëgimia dhe kujtesa, të cilat sipas tij, janë pjesë përbërëse e identitetit kulturor.
Sipas tij, dëshmitë e paraqitura në ekspozitë janë dëshmi të emancipimit kulturor e shoqëror të qytetërimit tonë.
“Kalaja e Prizrenit, është monumenti më i veçantë i trashëgimisë kulturore në Republikën e Kosovës, simbol i qytetit, pjesë e ndritshme e identitetit kulturor të Kosovës. Ministria e Kulturës ka mbi dhjetë vite që këtë monument të veçantë e ka përfshirë në prioritetet e veta dhe falë angazhimit të suksesshëm të stafit profesional të MKRS- së, Kalaja është shndërruar në njërin prej atraksioneve të turizmit kulturor dhe të politikave kulturore në vendin tonë”, thotë ai.
Gashi shton se trashëgimia kulturore e historike është pasqyrë e vlerave dhe e nivelit kulturor të një populli, dhe se, përmes kujtesës historike, e njohin dhe e nderojnë të kaluarën, traditën, rrënjët, gjurmët, frymëmarrjet tona nëpër shekuj.
“Ky monument, falë përkushtimit të MKRS-së si dhe Fondit të Ambasadorit Amerikan ka marrë një pamje tjetër, krejtësisht solemne, është dhe mbetet Arkivi i Kosovës sidomos për epokën, historinë e periudhës mesjetare po ashtu Kalaja e Prizrenit është plotësuar edhe me një komponentë shumë të rëndësishme, pra Muzeun e Kalasë”, theksoi ai.
Tutje ministri tha se funksioni i këtij Muzeu është multidimensional, ku krahas ekspozitës së përhershme, në këto ambiente do të mund të organizohen aktivitete të ndryshme kulturore ndërkohë që, është krijuar ambienti i përshtatshëm edhe për stafin menaxhues të këtij aseti të trashëgimisë kulturore.
“Ekspozita, të cilën po e përurojmë përmban thesarin më të mirë të trashëgimisë kulturore të Republikës së Kosovës ku paraqiten eksponate të cilat janë zbuluar kryesisht nga zona e Prizrenit dhe në Kalanë e Prizrenit. Në Kala janë zbuluar struktura të shumta arkitekturore, objekte të ndryshme qoftë enë, armë, stoli, monedha të shume epokave,” tha ministri. / KultPlus.com