1 Gusht, 2017 - 12:40 pm
Në kuadër të shënimit të Ditëve të Mërgatës, sot në Malishevë është hapur edhe panairi artizanal, ku po prezantohen punimet e dorës në veshje, dekorime në bizhuteri, si dhe të ushqimeve tradicionale.
Në hapjen e panairit morën pjesë edhe nënkryetari i Komunës së Malishevës, Rexhep Mazreku dhe drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Blerta Krasniqi.
“Unë ju përgëzoj në rend të parë për punën që po e bëni dhe në të njëjtën kohë, për kultivimin e vlerave të mirëfillta shqiptare, tradicionale, përmes veshjeve dhe ushqimeve, shtrojës dhe mbulojës dhe gjërave tjera nga tradita jonë”, tha Mazreku, me rastin e hapjes së panairit.
Për punën që po bëjnë, sidomos gratë të cilat përmes artit të punimit të veshjeve dhe ushqimeve tradicionale, i ka përgëzuar edhe drejtoresha për kulturë, Blerta Krasniqi. Ajo gjithashtu ka thënë se “panairi tashmë tradicional, organizohet në kuadër të shënimit të ditëve të mërgatës dhe me këtë rast ju ka dëshiruar mirëseardhje edhe të gjithë mërgimtarëve nga Komuna e Malishevës”.
Krasniqi, gjithashtu tha se “përveç panairit, në kuadër të ditëve të mërgatës, mbahet edhe festivali folklorik “Oda e Llapushës”, edicioni i katërt, festival në të cilin prezantohen vlerat e mirëfillta të folklorit”./ KultPlus.com