19 Mars, 2019 - 6:45 pm
“Eliminoni paragjykimet që kanë ekzistuar për një kohë të gjatë, në mënyrë që gjeneratat e reja të japin më shumë dashuri dhe respekt për njëri tjetrin” – GoDialogue
Ditët e para të GoDialogue – #HapuPër në Pragë
Në janar 2019, tetëmbëdhjetë pjesëmarrës, personalitete të artit, kulturës dhe mediave nga Serbia dhe Kosova, u ftuan në Pragë për të marrë pjesë në takimin e parë të OpenUp4, si pjesë e projektit të financuar nga BE, GoDialogue. Gjatë katër ditëve, ata diskutuan për Dialogun dhe fushatën e komunikimit #OpenUp4, që pritet të fillojë së shpejti, dhe i ndanë pikëpamjet e tyre personale si grup dhe në mënyrë anonime. Disa prej këtyre citateve janë përfshirë në këtë tekst. Kjo ngjarje shërbeu si mundësi për të thyer akullin ndërmjet dy komuniteteve, gjegjësisht Serbisë dhe Kosovës.
“Shkurtimisht, mendoj se 1. është shumë e rëndësishme të flasim dhe komunikojmë me njëri tjetrin. 2. Të jemi të sinqertë. Nuk besoj në shtete, vetëm në njerëz. 3. Ndoshta jam budall, por dua t’i jap mundësi të gjithë njerëzve. 4. Njerëzit janë njerëz, apo jo?” (Anonim)
Pjesëmarrësit diskutuan për atë se si marrëdhëniet me njerëz, qofshin biznesore apo personale, varen nga natyra, nevojat dhe mundësitë e situatës, dhe jo vetëm nga gjeografia apo politika.
Me internetin, si një formë gjithnjë më popullore e komunikimit, pjesëmarrësit theksojnë se më shumë kanë tendencë të flasin për ngjarje private, kulturë, art, udhëtime, aktivitete shoqërore, se për politikë. Marrëdhëniet zhvillohen në mënyrë të natyrshme dhe duke u bazuar në interesat e përbashkëta, vlerat e ngjashme të jetës dhe pikëpamjet për jetën, e jo në lidhje me origjinën e njerëzve – kjo vlen veçanërisht për rininë.
Komunikimi i rregullt ka rëndësi parimore për ta kuptuar Dialogun
Identifikimi i Ngjashmërive dhe Dallimeve
‘Personalisht, isha i mendimit se njerëzit duhet të komunikojnë por jo në bazë të deklaratave të politikanëve. Do të kishim sukses po të ishte ndonjë mënyrë që të mos na e shpërlanin trurin mediat dhe politikanët. Duhet ta kuptojmë dialogun si proces të ballafaqimit me të kaluarën – duke u ballafaquar me drejtësinë tranzicionale dhe fajësinë, kujtesën dhe kuptimin e përbashkët.’ (Anonim).
Pjesëmarrësit e shohin se sa i përket kulturës, ata e ndajnë pëlqimin e tyre për muzikën, modën dhe gastronominë. Ata e ndajnë besimin në rëndësinë dhe mirëmbajtjen e trashëgimisë kulturore, ku ‘familja’ është në zemër të jetës. Gjithashtu, pjesëmarrësit identifikuan dhe diskutuan për sfida të përbashkëta – standardin e jetës, papunësinë e madhe, emigrimin e ekspertëve dhe njerëzve të avancuar në shkollim, korrupsionin, e madje edhe bllokimin e trafikut.
Fushat e jetës në të cilat kishin më pak ngjashmëri grupet ishin interpretimi i historisë bashkëkohore dhe mënyrat se si është prezentuar ajo para popujve. Ata kishin dëshirë të informoheshin, për shembull, për atë se si është jeta e përditshme në Kosovë dhe anasjelltas, në Serbi, si i vlerësonin sendet e ndryshme njerëzit, si funksionon sistemi i arsimit, si operojnë institucionet shtetërore dhe sistemet legjislative përkatëse etj. Pjesëmarrësit e të gjitha moshave përfituan nga dialogu i hapur dhe i sinqertë në këtë punëtori katër ditore, sepse në nivel shtetëror, këto biseda nuk po dëgjoheshin. Të gjithë pranuan se ka dallime ndërmjet tyre në formë të religjionit, gjuhës, perceptimit të ngjarjeve historike dhe aktuale.
Zgjidhjet për përmirësimin e Dialogut dhe kuptimit të përbashkët
Duke kërkuar dialog pozitiv ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pjesëmarrësit i sugjeruan disa nisma për t’a përmirësuar kuptimin e përbashkët dhe Dialogun: organizimi i kampeve sportive dhe Punëtorive të Artit për fëmijë dhe të rinj si mundësi për të takuar njerëz të ri dhe për të formuar miqësi; bashkëpunimi me njerëz me ndikim nga Serbia dhe Kosova për t’i amplifikuar ngjashmëritë ndërmjet komuniteteve; projekte të përbashkëta filmike me personalitete dhe karakterë të botës së filmit, me të cilët njerëzit mund të lidhen pa marrë parasysh origjinën e tyre; organizimi i shkëmbimeve kulturore, në mënyrë që njerëzit t’i kuptojnë dhe vlerësojnë trashëgimitë kulturore, zakonet dhe vlerat e ndryshme. U sugjerua gjithashtu të ngritet dhe diskutohet tema e bashkëjetesës ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve në Ksoovë.
Pa përjashtim, të gjithë pjesëmarrësit janë kundër përfshirjes së organeve apo përfaqësuesve shtetëror në ndonjërën prej këtyre nismave të komunikimit. Fillimisht, nevoja për depolitizim është jetike për ta fituar respektin dhe besueshmërinë e të gjithë qytetarëve, si në Serbi ashtu edhe në Kosovë. Së dyti, komunikimi, pavarësisht nga ndonjë parti, shtet apo fuqi politike, do të thotë se po të arrihet një situatë ngërçi në nivel shtetëror, pjesëmarrësit do të jenë të gatshëm dhe të aftë të vazhdojnë me nismat e Dialogut pavarësisht eskalimit të tensioneve në nivel shtetëror. E për fund, pjesëmarrësit nga Kosova dhe Serbia ishin të lumtur që janë të përfshirë dhe po komunikojnë në çfarëdo mënyre për rëndësinë e kësaj nisme. Shumë prej tyre besojnë se YouTube, facebook dhe Instagram do të jenë platforma thelbësore për t’i mbjellur këto biseda.
Slogani i përzgjedhur I fushatës GoDialogue, që pritet të fillojë me aktivitete në ditët në vijim është #HapuPër dhe ka për qëllim nxitjen e hapjes së komunikimit në mes të njerëzve nga të dy shtetet duke mundësuar kështu tejkalimin e barrierave dhe paragjykimeve në mes të dy shoqërive të shteteve fqinje, Kosovë dhe Serbi,
‘Për mendimin tim, ky dialog do t’i ndihmojë popujve të Serbisë dhe Kosovës, që ata të njoftohen me njëri tjetrin dhe të mësojnë për kulturat e njëri tjetrit. Gjithashtu, duhet t’i eliminojmë paragjykimet që i kemi pasur në komunitetet tona për një kohë të gjatë, në mënyrë që gjeneratat e reja si ne të japin më shumë dashuri dhe respekt për njëri tjetrin. (Anonim)