Promovohen pullat postare të Kosovës dhe Maqedonisë me Gjergj Kastriot Skënderbeun

17 Janar, 2018 - 6:01 pm

Gili Hoxhaj

Nën patronazhin e kryeministrit Haradinaj, sot në Teatrin Kombëtar të Kosovës është mbajtur një ceremoni kushtuar 550 vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut.

Krahas fjalimeve që himnizojnë figurën e heroit tonë kombëtar, Skënderbeut, po ashtu në këtë ceremoni u promovua edhe pulla postare e Postës së Kosovës dhe asaj të Maqedonisë, e cila paraqet figurën e Skënderbeut, të punuar nga Odhise Paskali.

Në këtë ceremoni fjalën e mori kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, i cili tha se në këtë ditë kujtojmë edhe heronjtë tanë Jusuf e Bardhosh Gërvalla, Kadri Zekën dhe të gjithë ata që janë flijuar për liri.

“Gjergj Kastrioti Skënderbeu ishte një ndër të parët në Ballkan që vizion e kishte rreshtimin me perëndimin. Ishte përcaktues se cilën rrugë duhej ta zgjedhin shqiptarët, ai ishte dhe vazhdon të mbetet fija e artë që na lidhë me aleatët tanë të përjetshëm, të djeshëm dhe të sotëm”, tha Haradinaj sot, ndërsa shtoi se breza të tërë shqiptarësh janë rritur dhe edukuar duke dëgjuar këngë e tregime për luftërat heroike e liridashëse të Gjergjit tonë të madh, shkruan KultPlus.

Pas tij fjalën e mori Kryeparlamentari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, i cili tha se Gjergj Kastrioti në mënyrë shumë të vendosur është angazhuar për bashkimin e principatave ballkanike. Për rolin dhe vendin e Gjergj Kastriotit në historinë kombëtare, si dhe për rolin dhe kontributin e tij në vlerat civilizuese kombëtare janë bërë një serë kërkimesh e hulumtimesh shkencore nga emra me autoritet në pothuajse të gjitha vendet evropiane.

“Sot përmbushim 550 vite nga vdekja e tij po vepra dhe trashëgimia e tij edhe sot është ende aktuale jo vetëm për shqiptarët, por edhe për popujt e rajonit”, ka thënë Xhaferi.

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve “Shota”, e vazhdoi këtë ceremoni me një program artistik, ku solli valle të përgatitura nga ky ansambël, ndërsa këngë me motive kombëtare e kushtuar heroit Gjergj Kastriotit, sollën këngëtaret Riza Bytyçi, Violeta Kukaj, Granit Musliu, Liridon Sadriu, e emra të tjerë.
I gjithë ky program u përmbyll me vallen “Festa e bashkimit”, e cila ishte e punuar sipas motiveve të këngës “Xhamadani vija vija”. / KultPlus.com

Të ngjajshme