17 Mars, 2019 - 4:22 pm
Kryeministri Ramush Haradinaj ka lëshuar një letër urimi jo të zakonshme me rastin e urimit të një miku të tij për lindje të djalit.
Madje, për këtë urim nuk ka përdorur letër të thjeshtë, por një të tillë ku është vendosur edhe stema e Republikës së Kosovës.
Mirëpo, çka bie në sy në këtë letër, është dhurata që Haradinaj e ka vendosur bashkë me letrën. Aty shihet një byzylyk në të cilin është vendosur një gur për “mësysh” dhe emri i tij.
“Të nderuar Naim dhe Njomza, jam i nderuar me ftesën që më bëni, për të marrë pjesë në gazmendin tuaj familjar, me rastin e lindjes së djalit tuaj, Ibrahimit. Në emrin tim dhe të familjes sime, ju shpreh urimet më të ngrohta dhe dëshirat më të mira për djalin, Ibrahimin. Pastë shëndet e jetë të gjatë dhe të rritet i lumtur pranë prindërve dhe më të dashurve të vet”, ka shkruar Haradinaj.
Periskopi mëson se bëhet fjalë për nipin e këngëtares Shyhrete Behluli. Vajza e saj Njomza ka lindur djalë pas vajzave. Si duke Ramush Haradinaj e Anita janë miq të tyre pasi janë parë të pranishëm në ahengun e organizuar për këtë gëzim.
E në këtë letër, Haradinaj ka hedhur edhe firmën duke kompletuar detajet e kësaj letre që e bëjnë zyrtare./ Periskopi.com