26 Nëntor, 2018 - 6:37 pm
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka bërë thirrje nga Skenderaj të mos harrohen sakrificat e popullit shqiptar, në mënyrë që të mos përsëritet e kaluara.
Me rastin e hapjes së Festivalit “Rapsodia shqiptare” 2018, kreu i Ekzekutivit u shpreh se ndihet i nderuar që në kuadër të festave të 28 Nëntorit pati rastin të marrë pjesë në këtë manifestim.
Ai tha se ideja e një festivali kushtuar një heroi dhe ruajtja e traditës nuk është e tashme ndër shqiptarë. Ndërsa iu drejtua me një fjalë rasti edhe Rifat Jasharit, vëllait të komandantit legjendar Adem Jashari.
“A ja nisim me një këngë baca Rifat, se për festë kemi ardhur…? Ideja e një festivali kushtuar një heroi dhe ruajtja e traditës nuk është e tashme ndër shqiptarë. Lahutarët tonë, e ciceronët tonë e kanë ruajtur të gjallë kujtesën e ngjarjeve të mëdha, e heronjve tonë. Me e ruajt të gjallë kujtesën për Hamëz Jasharin, nderohet edhe artisti por nderohem edhe të gjithë ne. Është me lehtë për ne me e mbajt gjallë atë që kemi kaluar. Është në nder tonë, është në dobinë tonë që si njerëz, qoftë si qytetarë të Kosovës, qoftë si evropian, qoftë si popull që dojmë me iu taku popujve tjerë, me e kultivuar të vërtetën, sakrificën tonë, dhembjen tonë, atë që i ka ndodhur popullit tonë, heroizmin tonë, dhe si kemi ardhur deri në liri”, u shpreh Haradinaj.
Ndërsa vëllai i komandantit legjendar Adem Jashari, Rifat Jashari, u uroi mirëseardhje të pranishmëve duke thënë se prezenca e kryeministrit Haradinaj në këtë ngjarje, i ka shtuar dritë asaj.
“Shfrytëzoj rastin t’ua uroj festat e 28 nëntorit, të gjitha që lidhen, juve dhe gjithë shqiptarisë. Inshalla gjithmonë jemi bashkë, të një qëndrimi, të një mendimi për të ardhmen e vendit tonë”, u shpreh Jashari.
Në emër të kryetarit të komunës, drejtori i Drejtorisë së Kulturës në komunën e Skenderajt, Ramiz Shala, tha se të rralla dhe të papërsëritshme janë personalitetet e mëdha historike si Adem Jashari e Hamëz Jashari, të cilët i kanë dhënë edhe më shumë ngjyrë 28 nëntorit.
Në natën e parë të hapjes të këtij festivali, kryetari i komunës së Skenderajt, Bekim Jashari ndau çmime post-mortum për ish-drejtorin e Arteve Beqir Beqirin, ish-drejtorin Feriz Zeqiri, dhe rapsodin Ibrahim Gashi.
Ndryshe, Festivali “Rapsodia Shqiptare” Skenderaj 2018, do të zgjasë tre net, ku të enjten, më 28 nëntor do të ndahen edhe çmimet në kuadër të natës finale. /kp/Telegrafi/ KultPlus.com