7 Prill, 2019 - 10:28 am
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili të premten udhëtoi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me ftesë të komunitetit katolik shqiptar “Shën Pali” në Detroit, mbrëmë ka marrë pjesë në shënimin e 108-vjetorit të Kryengritjes së Malësisë.
“Luftëtarët shqiptarë të lirisë, të të gjitha kohërave, deri te UÇK-ja, janë shenjtorët tanë dhe vetë historia jonë. Ata janë gurët e themelit të kësaj shtëpie të përbashkët, që ka shekuj që po mundohemi t’ia qesim kulmin, e përmbi flamurin e Gjergj Kastriotit, Heroit Kombëtar që ishte dhe vazhdon të mbetët shpirt unifikues i njerëzve dhe krahinave si dhe fryma jonë e shenjtë që na lidhë përhershëm me Perëndimin, dje, sot dhe nesër”, kështu tha kryeministri Haradinaj, në fjalën e tij, në shënimin e 108-vjetorit të Kryengritjes së Malësisë, i ftuar nga Komuniteti Katolik Shqiptar, Shën Pali, në Detroit, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Para të pranishmëve të shumtë, kryeministri Haradinaj tha se sot ndihet jashtëzakonisht i nderuar që e ndajnë këtë kohë bashkë duke thënë se bashkëkryengritja e Malësisë ishte vazhdimësi e kryengritjeve anti-osmane në Kosovë, 1908-1910 dhe i parapriu ngritjes së flamurit në Vlorë nga Ismail – Qemal Vlora si dhe shpalljes së mëvetësisë së shtetit shqiptar më 1912.
“Malësorë të dashur, sot është ‘Dita e Flamurit të Dedë Gjo’ Lulit”, strategut të Malësisë së Madhe, dita e 6 prillit të 11-ës, kur luftëtarët e Hotit pushtuan majën e Bratilës dhe Nikë Gjelosh Luli ngriti flamurin kuq e zi, në afërsi të majës së Deçiqit. Jam sot me ju, si shqiptar dhe për ta nderuar simbolikën e traditës për të qenë bashkë, në lutje e festa dhe për respekt ndaj hyjnores, sipas fjalëve të Shën Palit Apostull “…nga Jerusalemi e rreth e përçark deri në Iliri”, aq më tepër kur këto lutje bëhen shqip e për shqiptarë”, shtoi ai.
Ndër tjerash, kryeministri Haradinaj theksoi se toleranca unike ndërfetare tek shqiptarët dhe solidariteti ishin dhe mbeten norma shembullore dhe mënyrë dominante e bashkëjetesës në mes njerëzve dhe komuniteteve të tërë botës moderne dhe kjo dëshmohet se shqiptarët e krishterë e myslimanë identifikohen e krenohen me të Shenjtën Nënë Terezën.
Haradinaj, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “malësorët krenarë në Amerikë, nuk harruan në asnjë çast kush janë e nga vijnë”.
Postimi i plotë i Haradinajt:
“Shumë i nderuar të isha në mesin e komunitetit Katolik Shqiptar “Shën Pali” në Detroit dhe shqiptarë të të gjitha trojeve tona, në shënim të 108-vjetorit të Kryengritjës së Malësisë dhe Ditës së flamurit të Dedë Gjo Lulit, një prej ngjarjeve më krenare të historisë së lëvizjes shqiptare për liri e mëvetësi kombëtare. Malësorët krenarë në Amerikë, nuk harruan në asnjë çast kush janë e nga vijnë. Në kohështrirje të ndryshme, me dijen dhe atdhedashurinë e tyre, i kanë dhënë krah tërë trojeve shqiptare, duke u ngritur njëkohësisht në shoqërinë amerikane dhe kjo është garancë e thellimit të miqësisë së përhershme me ShBA-në”, ka shkruar Haradinaj.
Në nderim të kësaj date dhe gjithë rrugëtimit historik të popullit shqiptar për liri dhe, në nderim të rolit dhe kontributit të ShBA-së po në këtë rrugëtim, kryeministri Haradinaj do të zhvillojë takime me përfaqësues të shumtë të organizatave shqiptaro-amerikane dhe personalitete të tjera që kanë dhënë kontribut në këtë drejtim.
Haradinaj do të ketë takime edhe me përfaqësues të komunitetit shqiptar katolik në Amerikë dhe autoritete të Detroitit. Gjatë kësaj vizite, kryeministri Haradinaj do të takojë edhe zyrtarë të tjerë të ShBA-së. / KultPlus.com