19 Tetor, 2017 - 4:12 pm
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti sot në takim Ansamblin Folklorik Autokton “Rugova”, të cilët e uruan atë për zgjedhjen në krye të Qeverisë së vendit.
Udhëheqësit e AFA “Rugova” theksuan se në mungesë të statusit ligjor të Ansamblit, rrezikohet ruajtja e kësaj trashëgimie, këngët, vallet, lojërat, por edhe veshjet tradicionale, që janë tipike për trevën e Rugovës, dhe me këtë do të pësonte trashëgimia kulturore e vendit.
Haradinaj, duke e vlerësuar lartë si thesar të trashëgimisë kulturore shqiptare, premtoi se Qeveria të cilën e udhëheq do të ndërmarr të gjitha veprimet konform ligjeve në fuqi për rregullimin shumë të shpejtë të statusit të tyre ligjor.
Përfaqësuesit e Ansamblit “Rugova” theksuan se sfidë e tyre thelbësore është që ta ruajnë e kultivojnë, si dhe ta shpijnë më tej ndër breza këtë trashëgimi që është begati kulturore jo vetëm e Kosovës, porse e të gjithë shqiptarëve. / KultPlus.com