16 Gusht, 2018 - 7:32 pm
Forumi për Iniciativa Qytetare (FIQ) ka dërguar një pako me verë të prodhimit vendor, dedikuar presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.
Ky aksion sipas FIQ mbahet pas raportimeve të mediave se presidenti aktual ka shpenzuar mijëra euro në verëra të shtrenjta në kohën sa ka qenë kryeministër i Kosovës.
Pakoja me verë u la para ndërtesës ku gjendet Presidenca pasi që përfaqësues të FIQ nuk u lejuan të hyjnë brenda nga Policia e Kosovës, raporton KP.
Dajana Berisha drejtoreshë e FIQ ka thënë se ky është një akt simbolik për t’i sensibilizuar njerëzit që është plotësisht gabim që të shpenzohet paraja publike për pije të shtrenjta.
“Unë kisha pasur dëshirë me i bërë të qartë presidentit që njerëzit nuk janë budallenj e di, një faturë e tillë, një mijë euro për verë dhe ushqime detare, duhet gjithqysh me pasur një justifikim një argumentim prej kabinetit të Presidentit për çka është organizuar ajo drekë. Drekat zyrtare me mjetet financiare të buxhetit të shtetit duhet me pasur arsyetimin pse janë shpenzuar ato mjete. Megjithatë, me gjithë justifikim e mundshëm janë një shumë e jashtëzakonshme, duke e pasur parasysh situatën e mjerueshme që është nëpër komunat e Kosovës”, ka thënë Berisha.
Për këtë shpenzim të lartë ajo ka marrë shembull gjendjen e rëndë të krijuar sot në komunën e Suharekës pas reshjeve të shiut.
Ndryshe mediat kanë raportuar për shpenzime të larta të zyrës së kryeministrit në kohën kur këtë pozitë e ka mbajtur presidenti aktual Hashim Thaçi.