25 Prill, 2019 - 5:59 pm
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur në një takim pune dhe bashkëpunimi delegacionin e shoqatës kulturore “Kosova dhe Shkupi”, të kryesuar nga Bajram Këlëç, me seli në Bursa, në praninë edhe të deputetit Ismail Yzen dhe bashkëpunëtorët e tyre.
Në fjalën e tij kryetari Haziri, tha se në aspektin kulturor, në fushën e arsimit, shëndetësisë dhe investimeve të përbashkëta, duhet të jetë një bashkëpunim më dinamik në krijimin e urave lidhëse të promovimit të vlerave dhe planifikimit për të ardhmen.
Kryetari Haziri, gjithashtu, ka spikatur rëndësinë që ka kjo shoqatë në krijimin e urave lidhëse mes investitorëve dhe qytetit të Gjilanit, sepse do të ndikonin edhe në zhvillimin ekonomik, punësimin dhe ngritjen e cilësisë në shërbime.
“Regjioni i lindjes në NATO është në mbykëqyrje të ushtrisë amerikane dhe në Gjilan kemi edhe kontigjentin turk me të cilët kemi një bashkëpunim shumë të mirë në sektorin e sigurisë dhe promovimin e jetës ndërfetare e ndëretnike në përgjithësi. Kosova tashmë është shtet që kontribuon në sigurinë e përgjithshme në Evropën Juglindore, konkretisht në pjesën e Ballkanit perëndimor. Investitorët janë të mirseardhur të jenë pjesë e investimeve në sektorin privat dhe atë publik në ngritjen e standartit të jetës dhe zhvillimin ekonomik në përgjithësi”, ka thënë mes tjerash kryetari Haziri.
Bajram Këlëç, kryetar i shoqatës ka ftuar komunitetin artistik, komunitetin e arsimit, shëndetësisë dhe biznesit që të vizitojnë Turqinë, sikur që ka bërë thirrje edhe per investime në Gjilan në mënyrë që të lidhet partneritet afatgjatë për zhvillimin e përbashkët mes Gjilanit dhe Bursës./ KultPlus.com