7 Janar, 2019 - 1:00 pm
Herolinda Avdili – Rexhepi do të jetë zë i fuqishëm në politikën zvicerane. Kjo e re me prejardhje nga komuna e Gjilanit është deleguar nga njëra ndër partitë më të mëdha në Zvicër, Partia Socialdemokrate e Zvicrës (Sozialdemokratische Partei der Schweiz).
E lindur dhe e rritur në Zvicër, Herolinda Avdili – Rexhepi, ka mbaruar Shkollën e Lartë të Pedagogjisë për persona me aftësi të kufizuara dhe sëmundje psikike në Bazel të Zvicrës. Në rini të saj hobi e kishte sportin e boksit, kurse ishte dhe mbetet lexuese e pasionuar.
Falë intelektit të saj ajo u inkuadrua në politikë në vitin 2013 dhe fillimisht aderoi në Partinë e të Rinjve të CVP të Soloturnit. Më pas, në vitin 2015 ajo ka kandiduar për deputet në Parlamentin Zviceran.
Që nga viti 2016, Herolinda Avdili – Rexhepi është anëtare e SP-së, ku edhe u zgjodh delegate e Partisë.
“Tashti, si delegate jam e obliguar që të shkojë në takime dhe mbledhje të ndryshme. Takimi i delegatëve është organi suprem i partisë midis dy kongreseve të partisë. Vendimet e saj janë gjithashtu të detyrueshme për partitë kantonale, partitë e qarkut dhe seksionet. Takimi i delegatëve zhvillohet të paktën tri herë në vit ose para datave të votimit federal në pjesë të ndryshme të vendit”, ka theksuar Herolinda, që shprehet e gëzuar që e ka mundësinë të bëjë një përvojë si delegate e një partie politike që ka shumë votues në çdo zgjedhje ose votim në Zvicër.
Duke folur për rolin e gruas në politikë, ajo thekson se gratë janë pakicë në politikë në Zvicër. Mesatarisht, rreth një e katërta e parlamentareve janë femra.
“Ka shumë nevojë për veprim për mua, që femra të ngre zërin në politikë dhe në fusha tjera. Për mua, ajo ka të bëjë me kuptimin e roleve të grave dhe mangësive strukturore në Zvicër”, ka theksuar Herolinda Avdili – Rexhepi. /KultPlus.com