29 Maj, 2021 - 1:03 pm
Njihet si një prej thesareve më të mëdha, që janë zbuluar në Shqipëri. Banka e Shqipërisë bën të ditur se në janar të vitit 1982, në vendin e njohur sot me emrin “Hija e korbit” u zbulua thesari i monedhave antike, transmeton KultPlus.
Kodra ku është gjetur thesari ngrihet pranë qytetit të Maliqit, mbi bregun e majtë të lumit Devoll.
Nisur nga pozicioni strategjik dhe sipërfaqja, “Hija e korbit” mendohet t’i përkasë rrënojave të një qyteti të lashtë ilir të Desaretisë antike, por identifikimi i këtij qyteti të lashtë nuk është përcaktuar përfundimisht.
Thesari numëron 618 monedha argjendi, të prera në një periudhë kohore që shkon nga shek. IV p.e.s., përfaqësuar nga tetradrahmet e Athinës dhe përfundon me tetradrahmet e fundit të shekullit III p.e.s. të prera nga Antioh Hieraks, i mbretërisë seleukide.
Në përbërje të thesarit gjejmë dy vlera monedhash: tetradrahme dhe drahme, të prera nga qytete dhe mbretër si: Athina, Aleksandri i Madh dhe Filipi III, Lysimahut të Thrakisë, Eumenit I, mbreti i Pergamit, mbretërit Seleukidë, dhe mbreti i Maqedonisë, Antigon Gonatës.
Muzeu i Bankës së Shqipërisë ka të ekspozuar në katin numizmatik, një pjesë të këtij thesari, huazuar nga Instituti i Arkeologjisë.
Ilirët ishin popull i lashtë i Gadishullit Ballkanik dhe paraardhësit e popullit shqiptar. Sipas disa historianëve, ilirët ishin trashëgimtarët e vetëm të pellazgëve, banorët më të lashtë.
Në lashtësi u krijuan marrëdhënie mes fiseve ilire dhe grekëve.
Në vitin 342 p.e.s. Demosteni u përpoq të bënte për vete ilirët në luftë kundër maqedonasve. Në qindvjeçarin e II dhe III p.e.s. fisi ilir i Ardianëve krijuan një mbretëri me qendër Shkodrën.
Pas pushtimeve romake në fillim të shek.III, mbretëria ilire u kufizua me gjysmën e saj veriore. /konica/ KultPlus.com