2 Dhjetor, 2018 - 10:30 pm
Udhëzuesi Praktik për Mbrojtjen dhe Ruajtjen e Banesave Tradicionale në fshatrat e Bregdetit të Himarës është vlerësuar së fundmi me çmimin e nderit në kategorinë e Dizajnit Urban gjatë ceremonisë së Çmimeve të Ekselencës së INTBAU 2018, në Londër.
Lajmin e bën të ditur kryetari i bashkisë së Himarës, Jorgo Goro, i cili thekson se anëtarët e jurisë, krijuan bindjen se “ndikimi që udhëzuesi mund të kenë në ruajtjen e trashëgimisë/banesave tradicionale dhe zhvillimin e vendbanimeve rurale në Rivierën Shqiptare, bënë që udhëzuesi të meritojë këtë vlerësim”.
Goro thekson se “ceremonia u zhvillua në “Royal Society of Arts”, në Londër më 28 nëntor, gjatë Kongresit Botëror të INTBAU 2018, një forum që zhvillohet çdo dy vite, i cili bashkon perspektivat dhe njohuritë globale në diskutim dhe debat mbi çështje të ndryshme sfiduese, me të cilat përballet mjedisi i ndërtuar dhe komunitetet rreth botës sot”.
Udhëzuesi është hartuar në kuadër të programit “Zhvillimi i Integruar dhe i Qëndrueshëm i Rajonit Bregdetar Jugor”, zbatuar nga GIZ Shqipëri, përfitues janë bashkia Himarë dhe komuniteti i fshatrave, shkruan ata.
Projektet e transformimit dhe rijetëzimit të fshatrave të Dhërmiut dhe të Vunoit në bashkinë e Himarës, do të jenë të përfunduara brenda muajit qershor të vitit të ardhshëm.
Banesat e fshatrave të bregdetit të Himarës përfaqësojnë dhe reflektojnë, jo vetëm traditat në ndërtim, por edhe stilin e jetesës. Në sajë të projekteve synohet që të rikthehen në identitet këto fshatra duke respektuar në detaje të gjithë elementët dhe parametrat arkitekturorë e urbane të periudhave kur janë ndërtuar.
Në fshatin Dhërmi, numërohen rreth 2600 banesa dhe godina të tjera, që janë pjesë e procesit të rikonstruksionit, ndërkohë që në Vuno, numri i tyre shkon në rreth 230.
Veç riparimit dhe restaurimit të fasadave, çative, dyerve, dritareve dhe grilave, në përputhje të plotë me traditën dhe kohën kur janë ndërtuar banesat, projektet përfshijnë edhe plotësimin me infrastrukturën rrugore. Të gjitha rrugicat do të ndërtohen me kalldrëmin tradicional, aq i veçantë dhe karakteristik për këtë zonë, ndërkohë që gjithçka do të plotësohet me sistemin e kanalizimeve, me ndriçim dhe elementë të tjerë të nevojshëm./ KultPlus.com