21 Janar, 2019 - 9:30 pm
Një fshatar i Buqanit të Pejës, i irrituar nga emërimi i një rruge të fshatit me emrin e një meshtari katolik, ka hequr tabelën njoftuese të vendosur buzë rrugës së fshatit.
Video është shpërndarë në Facebook.
Bëhet fjalë për tabelën njoftuese të rrugës që mban emrin e meshtarit At Lugj Palaj – dëshmor që ra në kryerje të detyrës së shenjtë për njerëzimin, shkruan GazetaExpress.
“Radikalisti islamik Armend Gashi, nga fshati Buqan i Pejes, largon pllakaten qe mban emrin e heroit kombëtar Luigj Palaj, për të vetmen arsye që i përket fesë katolike. Nuk është hera e pare që katolikët dhe agnostikët nga kjo trevë (Gllogjani, Nepolja, Lugagjija, Kosoriqi e Buqani) kanë probleme me këtë djalë dhe grupin e tij ekstremist radikal islamist dhe turkofil”, shkruan në Facebook faqja që ka shpërndarë videon.
Banori në fjalë thotë se është ndier shumë keq kur e ka parë këtë tabelë rrugore me këtë emër. Madje, thotë se e ka brengosur shumë ky emërtim i rrugës.
Luigj Palaj për deri sa ishte në shërbim si meshtar në kishën katolike në Gllogjan, Pejë (Kosovë), gjatë kohës së Luftës së Parë Ballkanike për shkaqe humane ra në kundërshtim me doktrinën serbe.
Sipas historisë, përderisa doktrina ishte në kulmin e zbatimit të konvertimeve të shqiptarëve në ortodoksë të kishës sllave dhe po i afrohej hapësirës që mbulonte kisha e Glloganit dhe tashmë zbatuesit e doktrinës nuk ndaleshin vetëm me konvertimet e dhunshme të myslimanëve nën flamurin e knjaz Nikollës, Palaj fillon kundërshtimin e tij të drejtpërdrejtë ndaj këtyre konvertimeve dhe bërësve të tyre.
Kështu më 7 mars të vitit 1913 në Janash afër Gjakovës, Palaj së bashku me pesëdhjetë e pesë bashkëkombës të tij në rugën Gjakovë-Pejë masakrohen nga zbatuesit e doktrinës, shkruan GazetaExpress.
Pas reagimeve të ashpra të shteteve krishtere si Austro-Hungaria dhe Papatit në Vatikan dhe presionit të përgjithshëm ndërkombëtar ndaj knjaz Nikollës, ky e ndalon zbatimin e më tutejshem të doktrinës në rrafshin e Dukagjinit.