31 Maj, 2021 - 12:00 pm
Ura e Mesit, monument kulture dhe simbol i qytetërimit të lashtë, është kthyer në një pikë tërheqëse për turistët vendas dhe të huaj. Turistët e huaj që zgjedhin të vzitojnë Shkodrën, është e pamundur të mos kalojnë dhe të vizitojnë Urën e Mesit.
Një atraksion i veçantë është kthyer edhe për turistët vendas dhe sigurisht shfrytëzohet edhe nga banorët e zonës.
Atraksion për turistët e huaj
Ura e Mesit është kthyer dhe në një pikë tërheqëse për turistët e huaj që përzgjedhin të vizitojnë qytetin e Shkodrës.
Për të huajt, artitektura e urës mbi lumin Kir është intriguese: e gjitha me gurë të latuar dhe pllaka guri.
Gjatë bisedave me banorë të zonës lidhur me frekuentimin nga turistët e huaj, mësojmë se më të shumtit që e vizitojnë janë nga vendet e lindjes, por edhe nga evropianët. Turistët janë kryesisht nga Rusia, Çekia, Polonia, Austria, Gjermania, Anglia, etj.
Gjatë një viti Urën e Mesit e vizitojnë më shumë se 3 mijë turistë të huaj, shifër kjo që pritet të rritet nga viti në vit.
Të dhëna mbi urën
Ura e Mesit, ndodhet 8 km larg qytetit të Shkodrës mbi lumin Kir, është një monument kulture me vlera të mëdha dhe simbol i qytetërimit të lashtë. E ndërtuar në vitin 1768 nga Mehmet Pashë Bushati, ura me kurriz që ndodhet mbi lumin Kir shërbente për të lidhur Drishtin me Shkodrën. Duke qenë një monument me vlera të mëdha arkitektonike e teknike, kjo urë është një objekt që tërheq vizitorë të shumtë . Me gjatësi 108 metër, gjërësi 3.40 metër dhe me 13 harqe jo simetrike, për ndërtimin e saj janë përdorur gurë të latuar, ndërsa traseja është bërë me pllaka guri, Vlerat e kësaj ure shtohen dhe nga terreni piktoresk pranë saj me shkëmbinj dhe ujin e pastër.
Legjenda e ‘ Urës së Mesit’
Një tregtar turk në ndihmë të disa banorëve të zonës hapi disa gropa për të shuar gëlqeren. Për gati 20 vite fshatarët e pritën tregtarin për të ndërtuar urën. Më në fund ai erdhi, mblodhi banorët, e filloi ndërtimin e urës. Gëlqerja, që kishte qëndruar për 20 vite në gropa, kishte një fortësi të tillë sa i lidhi mjaft mirë gurët e urës. Sipas legjendës, kjo urë është ndërtuar me gur dhe gëlqere të shuar, pa çimento e hekur. /diasporashqiptare/ KultPlus.com