25 Qershor, 2018 - 9:00 am
Hitleri e kishte shpallur Nurembergun “qytet të tubimeve të partisë naziste” më 1933, duke vendosur që roli tradicional i qytetit mesjetar, si qendër e tregtisë gjermane, artit dhe kulturës, do të siguronte një sfond të përshtatshëm për mitingjet e tij epike vjetore – siç do të ndodhte me stadiumet komunale, teatrot, liqenet dhe parqet në të cilat ishin mbajtur shumica e ngjarjeve të përvitshme.
Për të dy, edhe Hitlerin, edhe ministrin e Propagandës, Joseph Goebbels, i cili mbikëqyrte censurimin dhe distribuimin e filmit, muzikës, teatrit e arteve vizale në Rajhun e Tretë – muzika gjermane, veçanërisht opera, do të kishte impakt vital propagandistik në tubimet masive të ushtrisë naziste.
Një ekspozitë e re, e hapur në Qendrën e Dokumentimit të Mitingjeve të Ushtrisë Naziste në Nuremberg, në mënyrë grafike e tregon rrëfimin sesi shtëpia operistike “Nuremberg Opera House” dhe vendet në të cilat mbaheshin paradat e përvitshme masive të nazistëve ishin skena të dyfishta, nëpërmjet të cilave arti propagandistik ishte instrumentalizuar nga regjimi vrastar.
Titulli i ekspozitës “Hitler. Macht. Opera” është lojë me kuptim të dyfishtë të fjalës gjermane “Macht”, që përkthehet edhe si “bën” edhe “pushtet”: vetë Führeri personalisht është përfshirë në disa aspekte të inskenimit të operave që shënonin festën për lidershipin e tij. E shtrirë në 530 metra katrorë në “Sallën e madhe” të ish-lokacionit ku mbaheshin mitingjet, ekspozita e re gërsheton tekstin, imazhet, filmin dhe rikonstruksione të papërpunuara të skenës, për t’ua mundësuar shikuesve eksperiencën që të ndiejnë forcën e plotë të mjetit të fuqishëm propagandistik./ KultPlus.com