Hoti: Kultura arbëreshe është pasuria më e madhe që ka Italia dhe kombi shqiptar

29 Nëntor, 2019 - 7:30 pm

Koordinatori Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Rexhep Hoti, ka takuar udhëheqës të bashkive si dhe prijës të kishave arbëreshe në Kalabri. Ata diskutuan për gjendjen tyre si dhe mundësitë për shpëtimin e gjuhës, kulturës e traditave arbëreshe.

Koordinatori Hoti vizitoi bashkinë e San Demetrio Corone, ku takoi kryetarin Lamirara Salvatore. Hoti tha se aq sa ndjen krenari kur sheh se ka ende vende që ruhet kultura e gjuha arbëreshe në Itali, aq ndjen dhimbje kur sheh se kjo po shkon duke u zbehur.

“Nga vizitat e takimet që kam pasur këto ditë në vende të ndryshe të Kalabrisë ku ka arbëresh, ka pasur vende që me të vërtetë më bëjnë krenar se si ende e ruajnë gjuhën dhe kulturën e Arbërisë. Mirëpo, e kundërta më ka ndodhur në ato vende kur pashë se kanë mbetur pak për të mos thënë asnjë arbëresh që i ka ruajtur traditat e të parëve të tyre. Ne duhet të shohim bashkërisht se çfarë mund të bëjmë që mos të zhduket kjo vlerë e madhe e Kalabrisë”, tha Koordinatori Hoti.

E kryetari Salvatore e falënderoi Koordinatorin Hoti për vizitën dhe e informoi për gjendjen e arbëreshëve në bashkinë që ai udhëheq. “Është kënaqësi të ju kemi këtu sot. Është kënaqësi të na dëshmoni se ne arbëreshët nuk jemi harruar nga Kosova. Më vjen mirë që ju jeni të interesuar të shpëtoni arbëreshët nga asimilimi, edhe pse tani është vështirë që gjuha të ruhet sepse tashmë të rinjtë nuk e flasin, ose e kuptojnë shumë pak” tha kryetari Salvatore.

Koordinatori Hoti vizitoi edhe bashkinë Santa Sofia d’Epiro ku u mirëprit nga kryetari Daniele Sisca. Sisca tha se “ne arbëreshët tashmë jemi lodhur. Nëse Kosova, Shqipëria mund të bëjnë diçka për ne, ne e mirëpresim, në të kundërtën ne nuk mund të bëjmë gjë”.

Përveç udhëheqësve të bashkive, Koordinatori Hoti takoi edhe prijësit fetar arbëresh, të cilët kanë një rol të rëndësishëm në ruajtjen e kulturës. Në Cosenca ai takoi Vikarin e Përgjithshëm të Kalabrisë, Papas Pietro Lanza, ndërsa në Macchia Albaneze takoi Zotin Angelo Prestigiacomo. Nga të dy Hoti kërkoi që të meshat t’i bëjnë edhe në gjuhën arbëreshe në mënyrë që të kontribuojmë në ruajtjen e gjuhës.

Vikari Pietro tha se shtetet shqiptare duhet të ndërmarrin diçka për të shpëtuar arbëreshët nga zhdukja. “Është ora që të nisemi me fuqi të reja që të bëjmë diçka në mënyrë që të mos jemi ne të fundit arbëreshë. Mendoj se Kosova dhe Shqipëria duhet të bëjnë diçka në këtë drejtim. Do të ishte mirë që të bëhen edhe programe shkëmbimi për të rinjtë, në mënyrë që të dy palët të përfitojnë nga gjuha. Unë kam shpresë se arbëreshët nuk do të shuhen”, tha Pietro.

Koordinatori Hoti u takua edhe me banorë arbëreshë të secilës bashki që vizitoi. Ata e mirëpritën dhe falënderuan atë për vizitën si dhe bashkëbiseduan për jetën e arbëreshëve ndër vite në Kalabri. /eo/ KultPlus.com

Të ngjajshme