15 Janar, 2019 - 7:59 pm
Gili Hoxhaj
Për 20 vite me radhë, masakra e Reçakut rifreskon dhimbjen e banorëve të fshatit. Çdo janar është i kobshëm, e çdo fillimvit rikthen janarin mizor të 99-tës. Dyert e oborreve të shtëpive të këtij fshati qëndrojnë të mbështetura për muri, rrinë të hapura për vizitorët që vijnë për t’i nderuar familjet atje. Flamuri kombëtar është i vendosur në disa prej këtyre shtëpive, e diku pranë tij rri edhe flamuri amerikan.
Përveç vizitave nga larg, këto ditë edhe fshatarët vizitojnë njëri-tjetrin e mundohen ta zvogëlojnë dhimbjen e përbashkët duke kujtuar më të dashurit që u vranë në 15 janarin e vitit 1999. Nëse dhimbja mund të jetë më e vogël se kaq…
Në orët e hershme të mëngjesit të datës 15 janar 1999 , ashtu siç ishte planifikuar në Beograd, fshati Reçak u zgjua i rrethuar nga formacionet e Policisë Speciale militare dhe paramilitare serbe, të shoqëruara edhe me mjete të shumta të motorizuara. Sipas dëshmitarëve që kanë mbijetuar krimin, aty rreth orës 6:30, forcat serbe me artileri të rëndë kanë filluar të granatojnë fshatin, prej vendeve të quajtura Pishat, Gështenjat, Rrasa e Çallakut dhe nga Çesta përmbi Reçak. Pas ndërprerjes së granatimeve forcat kriminale serbe janë futur në fshat dhe kanë filluar bastisjet shtëpi për shtëpi. Rrethimi i hekurt e kishte bërë të pamundur largimin e banorëve nga fshati, të cilët me dhunë ishin dërguar në rrugicën e “Gropës së Bebushit”, ku kishin mbetur të masakruar.
Të shumtë janë ata që gjatë ditës së sotme vizituan memorialin e viktimave. Zyrtarë të lartë shtetëror e banorë nga vende të ndryshme të Kosovës erdhën e u përkulën pranë këtij memoriali dhe pranë varreve të 44 trupave të masakruar. Aty mungon vetëm trupi i Sahide Metushit, së cilës banorët deri vonë ia kishin lënë varrin hapur me shpresën se eshtrat e saj do të zënë vend pranë trupave të tjerë. Eshtrat e saj nuk u gjetën kurrë, andaj varrin e saj e kanë mbuluar me dhe.
Burrat më të vjetër të këtij fshati ishin rreshtuar pranë memorialit të viktimave. Presin të gjithë ata që kanë ardhur për të nderuar dhimbjen e tyre. Me njërën dorë të vendosur në zemër, ata përshëndesin fytyra që i kanë parë dhe ato që s’i kanë parë më herët. Mes këtyre burrave është edhe Hyzer Emini, tanimë 88 vjeçar. Shikimi i tij drejt trupave të masakruar mëngjesin e 15 janarit është bërë një imazh që tregon për atë që ndodhi në Reçak në vitin 1999. Akoma i ka të freskëta disa nga kujtime që i shpalosë përgjatë rrëfimit të tij.
“Atë ditë kemi vazhduar rrugën pas Walkerit, e ndiqnim pas. Kur jemi dalë në breg, në rrugë kishin qenë të gjithë shtrirë. Walker ka qenë me neve dhe gjatë tërë kohës fotografojke. Të gjithë që ishin aty i njohsha, të gjithë ishin të shtrirë në rrugë. Ish shtirë me e pa trupin pa krye”, tregon Emini për KultPlus.
Hyzer Emini qëndron i ulur në xhaminë prej së cilës i kishin përcjellë trupat e masakruar për te varrezat. E viziton shpesh këtë xhami, për të cilën thotë se me 11 shkurt të vitit 1999 kishte qenë e mbushur deri në hapësirën më të vogël me arkivolet e trupave të masakruar. “Kur i kemi marrë për t’i dërguar tek varrezat na kanë ndihmuar edhe nga Shtimja nga Drenica e vende të tjera për t’i dërguar atje”, rrëfen Emini.
Hyzer Emini, për shkak të moshës nuk e ka edhe shumë të lehtë ta bëjë rrugën deri tek memoriali. Përkundër të ftohtit, ai qëndroi goxha gjatë aty ndërsa theksonte se po pret ta takojë William Walker. E kishte takuar pothuajse çdo herë që kishte ardhur këtu. Në xhepin e brendshëm të xhaketës së tij ruan një fletore të vogël, aty ka dhe ca dokumente personale e në mes fletëve e ruan një fotografi me William Walkerin. E mban kudo me vete dhe shumë pranë trupit të tij.
Lufta e bërë në Reçak, e cila kulmoi me Masakrën e Reçakut, u bë lajm i botës me anë të fotografive por edhe zërit të diplomatit amerikan William Walker. Mëngjesin e 16 janarit, ai kishte marrë rrugën për në Reçak ku së bashku me mediat kishte dokumentuar pamjet e trupave të shtrirë të viktimave që ishin masakruar nga forcat serbe një ditë më parë. Ato pamje u bënë pasqyrë e krimeve serbe që po ndodhnin në Kosovë.
Walker, pasi kishte drejtuar gishtin nga lugina e masakrës, e kishte përcaktuar krimin me tri fjalë: krim kundër njerëzimit.
“Besoj sinqerisht se incidenti i Reçakut, për arsye të ndryshme ka çuar në ndërhyrjen e NATO-s, lirinë dhe pavarësinë. Ka pasur faktorë të ndryshëm në atë që ka ndodhur, por pas disa viteve të informatave dhe dëshmisë që Sllobodan Millosheviq po trajtonte popullatën shqiptare në mënyrë barbare është mundësuar ndërhyrja e NATO-s”, kishte thënë Walker vitin e kaluar.
Smajl Dalipi është një tjetër banor i këtij fshati i cili thotë se ajo që kishte ndodhur në Reçak dy dekada më parë, i kishte lënë për disa ditë pa ngrënë dhe pa fjetur. “Tri ditë nuk kemi hëngër bukë”, tregon Dalipi.
Edhe ai e ka të freskët takimin me Walkerin një ditë pas masakrës dhe e ruan si personazhin më të rëndësishëm për fshatin, dhe gjithë vendin.
“Walkerit duhet t’ia dimë të gjithë. Një njeri bjen e shpëton një shtet. Çdo shqiptar e ka orientimin e tij, disa e kanë kishën, disa xhaminë e disa tyrben por ne duhet të kthehemi kah Amerika që të falemi”, shprehet Dalipi për KultPlus.
Hyzer Emini thotë për KultPlus se ngjarjen e Reçakut duhet ta trashëgojnë ndër breza dhe ta ruajnë gjatë, kujtimin e përjetimeve të asaj dite.
“Kurrë s’ka me humb gjaku i tyre, unë i kam bërë gati 90 vjet tani por sa të jetojnë njerëzit, emri i këtij katuni dhe i këtyne njerëzve nuk ka me humbë, brez pas brezi do të ruhet emri i tyre” ngulmon Hyzer Emini. “Masakra e Reçakut është e shkruar rreth e rreth botës”, përfundon ai.
Sot në Reçak përmes aktiviteteve të ndryshme dhe homazheve është përkujtuar 20 vjetori i Masakrës së Reçakut. / KultPlus.com