8 Mars, 2018 - 6:02 pm
Në ditën e 8 Marsit, Dita Ndërkombëtare e Gruas, një projekt interesant po nderon heroinat e Jugosllavisë.
Zoran Cardula ka zgjedhur 91 gra nga Jugosllavia, luftëtare të cilat e paguan edhe me jetën e tyre luftën kundër fashizmit dhe shtypësit.
Pas rënies së Jugosllavisë, një pjesë e tyre mbeten të harruara kjo me tendencë që të minimizohet lufta dhe përpjekja e tyre.
Për këtë projekt janë përdorur vizatimet e mrekullueshme të Zdenko Svircic.
Në mesin e portreteve janë edhe heroinat e reja Fana Kocovska dhe Ibe Palikuqi, të cilat iu bashkuan partizanëve në moshën 14 e 15 vjeçare, apo edhe Darinka Radovanovic – dy vajzat e saj u vranë para syve të saj dhe ajo prapë refuzoi të tregonte ku fshiheshin partizanët.
Ibe Palikuqi u lind në qytetin e Dibrës. Që nga 1942 shtëpia e saj u bë bazë shokësh ilegalë dhe ajo vetë propagandiste trime e ideve të luftës çlirimtare. U arrestua së bashku me nënën dhe u burgos (1943). Pasi doli nga burgu, vijoi veprimtarinë revolucionare. U rreshtua në batalionin partizan të Dibrës dhe me organizimin e Brigadës XVIII S (1944) u caktua zëvendëskomisare kompanie. Në të gjitha luftimet u shqua për guxim e trimëri të rrallë. Ra heroikisht në luftë kundër nazistëve gjermanë dhe tradhtarëve për çlirimin e Kërçovës në Maqedoni, më 23 shtator 1944.
Në këtë listë është edhe Lepa Radic, dhe më pas edhe Danica Milosavljevic, një infermiere e cila ndërroi jetë para pak ditësh, pjesë e Brigadës së Parë të Proletariatit.
“Jam i mahnitur nga historitë e këtyre grave, nga guximi i tyre. Lavdi e madhështi për punën e tyre” shkruan vetë krijuesi i projektit “Heroinat e Jugosllavisë”, përcjellë KultPlus.
“Në këtë kohë kur shovinizmi e nacionalizmi po marrin frymë në këtë pjesë të regjionit, dua që me anë të këtij projekti të tregoj sakrificën e tyre grave” tregon më pas Cardula.
Majda Slic, Majda Vrhonic, Dragica Pravica, Anka Berus, Vera Anceva, Nada Naumovic janë në mesin e këtyre 91 grave të përmbledhura në këtë projekt. / KultPlus.com