Imzot Dodë Gjergji u shërben kafe për Bajram të gjithë udhëtarëve në aeroplan

15 Qershor, 2018 - 1:46 pm

I pari i Kishës Katolike të Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, ka shpërblyer me nga një kafe të gjithë udhëtarët në aeroplanin e vijës Frankfurt-Prishtinë, sot në mëngjes, për nder të festës së Bajramit.

Në rrugën e kthimit për në Kosovë, sipas disa udhëtarëve të pranishëm, Imzot Dodë Gjergji ka kërkuar nga ekuipazhi i aeroplanit leje për të përdorur pajisjet e komunikimit dhe nëpërmjet tyre ka uruar të gjithë udhëtarët, besimtarë të fesë islame, për festën e Bajramit të Madh.

“Të nderuar vëllezër e motra, me fat ju qoftë Bajrami. Më lejoni t’ju shpërblej të gjithëve me nga një kafe”, ka uruar Imzot Dodë Gjergji.

Aeroplanët e Adria Airways shërbejnë kafet dhe pijet tjera, përveç ujit, me pagesë. Stjuardesat e aeroplanit të Adria Airways më pas i kanë shërbyer të gjithë udhëtarët me nga një kafe.

Gjesti i Imzot Gjergjit është duartrokitur nga udhëtarët. Kosova është e njohur për tolerancën dhe bashkëjetesën në mes të feve.

Të ngjajshme