Inaugurohet parku i të martuarve, kurorëzohen tre çiftet e para

7 Gusht, 2017 - 1:18 pm

Sot u inaugurua parku i të martuarve, park ky ku secili çift që kurorëzohet në Komunën e Prishtinës mund të mbjellë drurit e tyre, për ta shënjuar kështu martesën, shkruan KultPlus.

Kryetari Shpend Ahmeti, para se t’i kurorëzonte 3 çiftet e para që mbollën në këtë park, falënderoi që të gjithë ata që kanë kontribuuar në ndërtimin e këtij eko-parku të parë në Prishtinë. “Ky projekt ka dy qëllime: shënjimi i martesës për çiftet, si dhe rritja e gjelbërimit në kryeqytet. Sapo të mbushet ky park, projekti do të vazhdojë edhe në lokacione të tjera të kryeqytetit, ashtu që të ndikojmë sa më shumë në përmirësimin e ambientit”, tha ndër të tjera Ahmeti.

Drejtori i Coca-Cola HBC Kosova, Neritan Tira, tha se ky kontribut i vogël për qytetarët e Prishtinës, ka një ndikim afatgjatë në përmirësimin e cilësisë së jetës sonë. “Parku është i pajisur me pllaka informacioni që do të ndihmojnë në edukimin dhe ngritjen e vetëdijes tek të rinjtë, si dhe me zona të relaksimit dhe rekreacionit. Ne jemi krenar të vazhdojmë kontributin tonë në përmirësimin e ambientin në cilin punojmë dhe jetojmë, duke realizuar këtë projekt kaq atraktiv, ku fillimet e reja me të vërtetë marrin jetë.”, theksoi Tira.

Në fjalën e tij të rastit, Ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, tha se është krenar me punën e kompanive amerikane në aspektin e përgjegjësisë shoqërore. “Inkurajoj edhe bizneset kosovare që ta ndihmojnë komunitetit edhe në Prishtinë, edhe në të gjithë Kosovën. Shpresoj që ky park të nxitë investime të ngjashme nga kompanitë”, tha Delawie.

Ky park u ndërtua si rezultat i bashkëpunimit mes Komunës së Prishtinës dhe Coca-Cola HBC Kosova. Ne do të vazhdojmë angazhimin tonë në realizimin e ideve të tilla të kreative, duke pasur si synim kryesor përmirësimin e jetës së qytetarëve të Prishtinës./KultPlus.com

Të ngjajshme