18 Shtator, 2017 - 10:34 am
Shiheni sesi po e trajtojnë Prek Calin, një tribun të popullit që ka mbrojtur me gjak në tridhjetë vjetët e parë të Shekullit të XX-të kufirin e atdheut të vet në Alpet e Shqipërisë kundër serbëve pushtues, transmeton Oranews shkrimin e Spartak Ngjelës.
Nga ato që po lexoj shoh që ende flasin për partizanë kur vrasja e Prek Calit ka ndodhur pas çlirimit të Shqipërisë nga gjermanët. Ç’hyjnë partizanët këtu, kur nuk ka më gjermanë?
Ja pyetjet që ngrihen për të provuar injorancën:
Ç’janë këta partizanë që shkojnë për të luftuar në Veri, më 15 janar të vitit 1945, kur Shqipëria ishte çliruar që në 29 nëntor të vitit 1944?
Pse ka shkuar Mehmet Shehu në alpet e Veriut me formacion partizan, kur aty kishte vetëm shqiptarë vendas mijravjeçarë, dhe asnjë këmbë të huaji?
Pse, Mehmet Shehu me partizanët e tij, të cilët e kishin mbaruar luftën me gjermanët, do t’iu mësonin malsorëve trima sesi do të qeveriseshin ata në shtëpitë dhe në pronat e tyre shekullore?
Pse, kush doli me faj ndaj historisë, ata që u bashkuan me serbët gjatë Luftës së Dytë Botërore, apo trimat historikë si Prek Cali që mbronîn tokat e tyre prej shekujsh kundër hordhive sllave?
Pse, kush ka gabuar në histori, trimat mëmëdhetarë si Prek Cali dhe qindra heronj dhe dëshmorë të tjerë nga Malësia e Madhe dhe Mirdita që nuk e pranuan stalinizmin dhe titizmin në Shqipëri, apo Mehmet
Shehu që i vrau për stalinizmin dhe titizmin këta trima që kishin shekuj që mbronin trojet e tyre nga hordhitë sllave?
Pse, Mehmet Shehu me partizanet e tij, që vrau gjermanë dhe italianë pushtuesë, dhe i vrau vërtet, ka pasur të drejtë që pas lufte, të vriste shqiptarë të ndershëm se ata nuk besonin te doktrina e partisë së tij?
Përgjigjja e këtyre pyetjeve i jep të drejtë morale absolute tribunit të madh shqiptar Prek Cali dhe jo Mehmet Shehut.
Dhe sot e gjithë ditën duhet pyetur: deri kur ne do të vijojmë që të mos e kemi ndjenjën e humanizmit dhe drejtësisë në trajtimin e historisë?
Trajtimi i historisë dhe i figurave historike nuk ka lidhje as me interesin vetjak dhe as me pasionin politik, por vetëm me humanizmin dhe me të vërtetën./ KultPlus.com