29 Qershor, 2019 - 8:30 pm
Në Muajin e Muzikës janë ekspozuar në Muzeun Historik Kombëtar 25 instrumente të rralla muzikore. Nuk mungojnë as instrumentet e përdorura nga ish-kryeministri Fan Noli apo “Heroit të Popullit”, Qemal Stafa. Sipas kompozitorit Vasil Tole, këto dëshmi rrëfejnë sesa larg jemi nga ky realitet sot.
Ekspozita “Trashëgimia shpirtërore përmes instrumenteve muzikore” është çelur në Muzeun Historik Kombëtar. Mes 25 instrumenteve të rralla, nuk mungojnë as lahuta, çiftelia, gajdja, cyla dyjare apo corni inglese, që ka përdorur Fan Noli edhe violina e “Heroit të Popullit”, Qemal Stafës. Për kompozitorin Vasil Tole kjo ekspozitë ka rëndësi shumë të madhe, jo vetëm se flet për muajin e muzikës apo se ka në qendër rolin që këto vegla muzikore kanë pasur në jetën e shqiptarit tradicional, por edhe sepse, dëshmon se si politikanët shqiptarë dikur kanë pas qenë të kulturuar.
“Duhet parë muzika, si pjesë e jetës së njeriut, kjo është shumë e rëndësishme, sepse ky është edhe thelbi i Ditës Kombëtare të Muzikës, 21 qershori. Në mënyrë të veçantë kjo ekspozitë provokon disa mendime, sipas këndvështrimit tim. Në radhë të parë, për rolin edhe rëndësinë që veglat muzikore kanë pasur në jetën e njeriut edhe shqiptarit tradicional. Besoj se është pjesërisht e vërtetë, që shqiptarët janë vetëm tipa heroikë, që i përfytyrojnë vetëm me veshje popullore dhe me armë në breza. Përkundrazi! Kjo ekspozitë është edhe një thirrje për institucionet, që të nxit prodhimin e veglave muzikore. Edhe elementi i tretë, është korni anglez, që e ka pas përdorë Fan Noli, ish- kryeministër i Shqipërisë apo violina e heroit të Popullit, Qemal Stafa, që dëshmon se politikanët e rëndësishëm janë njerëz të kulturuar, që nuk bëjnë vetëm politikë mirë, por edhe diplomaci kulturore. Këto dëshmi dëshmojnë se sa larg këtij imazhi jemi sot në jetën e përditshme”, shprehet kompozitori Tole.
Kompozitori mendon se kur flitet për një politikë të pastër, për njerëz me integritet, me të kaluar jokriminale, duhet kërkuar edhe elementët e tjerë, edukata, kultura e hollë edhe shija estetike, që ata duhet të zotërojnë.
“Është e vërtetë që muzika edhe arti nuk ndryshojnë dot historinë, por ato mund të ndryshojnë njerëzit, që mund të ndryshojnë ngjarjet”, shprehet Tole.
Ndërsa, Dorian Koçi, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar e konsideron këtë ekspozitë një mënyrë të mirë për të rigrupuar instrumentet muzikore që gjenden në fondin e këtij institucioni
“Një pjesë e instrumenteve është e fondit tonë, të paekspozuara më parë. Disa prej tyre janë të vjetra, i përkasin fundit të shekullit XIX. Kjo ekspozitë tregon edhe se si kanë jetuar shqiptarët, që përkrah anës heroike, kanë pasur edhe pasione. Për këtë arsye ne dëshirojmë që herë pas here të bëjmë të mundur edhe këtë pjesë të rëndësishme të shoqërisë sonë”, shprehet Koçi.
Ekspozita vazhdon që të qëndrojë hapur për publikun në Muzeun Historik Kombëtar.