8 Maj, 2018 - 4:30 pm
“Jemi duke u përballur me një fluks në rritje të turistëve dhe për të adresuar nevojën e akomodimit, është hartuar paketa e lehtësirave për hotelet me 4 dhe 5 yje, e cila ka rritur ndjeshëm interesimin e emrave të njohur të hotelerisë botërore për të investuar në Shqipëri”, – deklaroi sot zv.ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Hajrullah Çeku.
Gjatë llogaridhënies publike përpara qytetarëve të Lezhës, ai tha se në kuadër të projektit të “100 fshatrave”, kanë nisur procesin e certifikimit të njësive të agroturizmit bashkë me paketën e lehtësirave fiskale dhe skemën kombëtare të mbështetjes përmes granteve të bashkë investimit.
Ai tha se aktualisht janë duke i shqyrtuar aplikimet për certifikim dhe Shqipërisë shumë shpejt do t’i shtohen dhjetëra njësi të reja agroturizmi në të gjithë territorin e vendit.
Më tej, Çeku tha se për t’ju përgjigjur në mënyrë më të mirë kërkesave të turistëve, është zhvilluar programi “1 mijë të rinj dhe të reja të punësuar gjatë sezonit të verës”, një nismë që synon punësimin e të rinjve, pastrimin e vendit dhe informimin e turistëve mbi aktivitetet rekreative që zhvillohen në të gjithë territorin e Shqipërisë.
Ai tha se kalendari turistik 2018, i cili përmbledh të gjitha aktivitetet dhe ngjarjet artistike të kulinarisë, sportive dhe rekreative e veçanërisht festat tipike lokale që zhvillohen nga janari në dhjetor, nga veriu në jug të Shqipërisë.
Zv.ministri tha se janë certifikuar 50 udhërrëfyes të rinj turistikë që do të jenë të angazhuar për të pritur dhe informuar turistët e huaj gjatë qëndrimit të tyre në Shqipëri.
Duke u ndalur në bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë, Çeku tha se kanë zhvilluar një numër programesh të reja si, brendimi i produktit të kulinarisë, që synon të shndërrojë produktet bujqësore dhe gatimet tradicionale në ambasadorin më të fuqishëm të turizmit dhe zhvillimin e portaleve dhe kanaleve të reja të promovimit të Shqipërisë turistike nëpër gjithë botën.
“Për kundër të gjitha këtyre zhvillimeve, ne jemi shumë të vetëdijshëm për rëndësinë që ka mjedisi dhe në ndikimin që ka mjedisi në forcimin e perceptimit të çdo turisti gjatë qëndrimit në Shqipëri. Ka qenë programi ynë i madh mjedisor me synim një Shqipëri turistike të pastër dhe të gjelbër, që ka mobilizuar dhjetëra e mijëra në betejën kundër papastërtisë, e veçanërisht kundër burimeve të ndotjes. Programi ynë ka qenë operacioni më i madh i pastrimit dhe gjelbërimit në Shqipëri dhe deri tani ka pastruar tonelata mbetje dhe synon 20 milionë pemë të reja deri në vitin 2020”, – deklaroi ai. /Ata/ KultPlus.com