Intervista ku Faik Konica e quante tradhtar dhe të korruptuar Ismail Qemailin

28 Nëntor, 2018 - 2:00 pm

E shpalli pavarësinë e Shqipërisë, por Ismail Qemajli duket se nuk po del të ketë qenë shumë “i pastër” në politikë. Sipas Faik Konicës, ish-kreu i atëhershëm i qeverisë së përkohshme ka qenë i korruptuar nga shpirti e nga zakonet, njeri pa ideal dhe pa parime, si dhe një person që ka qenë i gatshëm për të gjitha kompromiset.

Faik Konica kishte dhënë një intervistë për “Universul” më 10 janar 1914, ku është pyetur për Ismail Qemalin dhe Esat Pashën, ndërsa përgjigja e tij nuk ka qenë pozitive.

“Ismail Bej Qemali, një “fileu” bizantin, i korruptuar nga shpirti dhe nga zakonet, pa ideal dhe pa parime, i gatshëm për të gjitha kompromiset. Esad Pasha është një “condotier” mesjetar, që as nuk di metodat as nuk ka skrupujt e një shtetari modern. Është nga shkolla e Abdul Hamidit, prej së cilës ka ruajtur një suvënir të gjallë. Mirëpo është energjik dhe, po të drejtohej mirë, mund të përdorej me dobi për rivendosjen e rendit në Shqipëri. Nga natyrat e tyre do të kuptoni edhe aktet e tyre”, kishte thënë Konica në një intervistë në 1914, dy vite pasi që Shqipëria në krye me Ismail Qemali u shpall e pavarur.

Kjo është intervista e plotë e Konicës për “Universul” më 10 janar 1914:

Faik konica ka dhënë një intervistë për “Universul” më 10 janar 1914, ku është pyetur për Ismail Qemalin dhe Esat Pashën, ndërsa përgjigja e tij nuk ka qenë pozitive.

Cila është situata e brendshme politike në Shqipëri, a ekzistojnë atje parti politike dhe cilat janë programet dhe pikëpamjet e tyre? A varen programet e tyre politike nga besimet fetare?

Në Shqipëri ka dy parti të mëdha, të cilat nuk janë ende të organizuara përfundimisht: partia nacionaliste me nuancë liberale dhe partia reaksionare konservatore, turke për nga fryma. Klasa e kultivuar në përgjithësi dhe shqiptarët e Rumanisë dhe të Amerikës bëjnë pjesë në të parën, myslimanët dhe grekomanët me shkolla të kryera në Stamboll përbëjnë të dytën. Besimet fetare nuk hyjnë në formimin e këtyre dy partive.

Nacionalistët kërkonin në kohën e regjimit turk autonominë administrative dhe përdorimin e gjuhës shqipe, ndërsa unë me grupin tim deri edhe ndarjen nga Turqia. Partia reaksionare donte, përkundrazi, statu-quo dhe ruajtjen e bashkimit me Turqinë. Mbas luftës [ballkanike, – A.P.] nacionalistët e përshtatën programin duke kërkuar një shtet të ri, me konceptime të reja, i cili të shkëputej nga traditat orientale: një shtet nacional për nga fryma dhe oksidental për nga metoda. Me njerëz të rinj për këto situata të reja. Partia reaksionare kërkon vijimësinë e sistemit dhe frymës së administratës turke me gjendjen e vjetër të punëve. Nacionalistët dëshirojnë të kombëtarizojnë edhe kultin. Të dy udhëheqësit e Shqipërisë aktuale, sa Esad Pasha aq edhe Ismail Bej Qemali, bëjnë pjesë në partinë reaksionare, duke përdorur dhe duke imponuar gjuhën turke në administratë në vend të gjuhës kombëtare, çfarë është skandaloze.

Të dyja këto parti politike a janë dakord për emërimin e një princi të huaj? A është princi Wied i pranueshëm nga këto parti?

Reaksionarët, përshtat parimeve dhe pikëpamjeve të tyre, dëshirojnë një princ musliman, ndërkohë që nacionalistët, duke qenë se nuk ekziston ndonjë dinasti kombëtare, kërkojnë princ të huaj. Populli, siç është i lodhur nga kaq trazirë, duke dashur të shpëtojë nga luftërat e brendshme dhe duke marrë vesh që princi Ëied është i pëlqyeri i Fuqive të Mëdha, e ka pranuar në heshtje.

Si mund të shpjegohet komploti më i fundit turk në Shqipëri?

Shumë thjesht: klasat drejtuese, të varfëruara mbas lufte dhe duke pasur nevojë për para, morën para dhe bënë komplotin në interes të atij që ka paguar dhe që do të pagojë edhe më.

Ç’opinion keni zotëria juaj për këto dy personalitete “en vogue” [fr. në modë, – A.P.] tani në Shqipëri: Esad Pashën dhe Ismail Bej Qemalin?

Ismail Bej Qemali, një “fileu” bizantin, i korruptuar nga shpirti dhe nga zakonet, pa ideal dhe pa parime, i gatshëm për të gjitha kompromiset. Esad Pasha është një “condotier” mesjetar, që as nuk di metodat as nuk ka skrupujt e një shtetari modern. Është nga shkolla e Abdul Hamidit, prej së cilës ka ruajtur një suvënir të gjallë. Mirëpo është energjik dhe, po të drejtohej mirë, mund të përdorej me dobi për rivendosjen e rendit në Shqipëri. Nga natyrat e tyre do të kuptoni edhe aktet e tyre.

Ç’parashikoni zotëria juaj për shtetin e ri shqiptar?

Shqipëria, që del nga një krizë e tmerrshme (katër vite kryengritjesh dhe një vit pushtimi, pra pesë vite trazirash) dhe që ka qenë sunduar për katër shekuj nga brutaliteti dhe keqqeverisja e regjimit turk, ndodhet – afërmendsh – si një i sëmurë që nuk është lehtë të ngrihet në këmbë, punë që do të dojë disa kohë, porse jam absolutisht i bindur për vitalitetin, energjinë dhe të ardhmen e saj.”

Nga: “Universul”, XXVII, nr. 8, 10 janar 1914 © shqip Intervista sillet nga studiuesi Aurel Plasari./ KultPlus.com

Të ngjajshme