Ipeshkvijtë katolikë: Skënderbeu nuk i përket vetëm një feje

18 Janar, 2018 - 10:08 pm

Me rastin e Vitit mbarëkombëtar kushtuar Gjergj Kastriotit Skënderbeut, në 550-vjetorin e vdekjes, ipeshkvijtë katolikë të Shqipërisë u kanë drejtuar shqiptarëve një mesazh. Mes të tjerash, ata shtrojnë një sërë pyetjesh për të sotmen: “A ndjehemi vërtetë të lirë, pas 27 vjetësh nga rënia e komunizmit? Çfarë na shtyp akoma? Cilat janë frikërat tona? Pse kaq vonesa për të hyrë në Bashkimin Europian, një ëndërr që na shoqëron gjithmonë?

Pse nuk e duam atdheun tonë si etërit tanë që vdiqën për të, por ne duam të ikim prej tij? Kush janë armiqtë tanë sot kundër të cilëve duam të luftojmë e t’i mundim së bashku: varfëria, zhvillimi i pabarabartë i shoqërisë sonë, korrupsioni, analfabetizmi, etj.? Kemi nevojë për një hov të fortë “ndershmërie” dhe “meritokracie” nga ana e të gjithëve për të mirën e kombit tonë”.

Në të njëjtin mesazh, ipeshkvijtë thonë se kur, para pesëdhjetë viteve, shqiptarët të shpërndarë në shumë vende kremtonin pesëqind vjet nga vdekja e heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, Papa Pali VI shkroi një letër në të cilën tha se Skënderbeu “… ishte biri i lavdishëm i një toke që pati fatbardhësinë të ishte pjesë e programit apostolik të Shën Palit, ku mbolli ndoshta rishtazi farën e Ungjillit”.

Në mesazh, shënohet se Papa shtonte: “Pararendësit tanë e mbuluan me elozhe më tepër se çdo hero të asaj epoke. Ai arriti të ruante për njëzet e pesë vjet prej pushtimit atdheun e tij, i cili ishte pika me e brishte e sistemit mbrojtës të krishterimit. Për këtë arsye, pararendësi ynë, Kaliksti III, duke pasur parasysh devocionin dhe atashimin ndaj Selisë apostolike të këtij kapedani, tha për të me të drejtë se ‘ai kishte merituar më shumë nga të gjithë princat katolikë lëvdata për nder të besimit dhe fesë katolike”. Citimi i Papës, në kuadër të debateve që mbahen për besimin fetar të Skënderbeut, duket interesant.

Por, teksa vihet në dukje se Skënderbeu, me shumë kurajë e forcë i bëri ballë njërës prej perandorive më të forta e gjakatare të kohës, nuk harroi rrënjët e tij shoqërore dhe shpirtërore, as u josh nga pushteti që i jepej. “Si i tillë Skënderbeu nuk i përket vetëm një grupi njerëzish, një krahine apo një feje, por të gjithë atyre që e ndjekin lirinë si një aspiratë të brendshme për të cilën ia vlen çdo sakrificë”.

MBI LIRINË
Në 550-vjetorin e vdekjes së tij, ipeshkvijtë gjejnë rastin të të ftojnë për një çast reflektimi për aspiratat e lirisë së popujve dhe të njeriut si individ. “Liria është ndër të drejtat më thelbësore të një populli, të grupeve shoqërore dhe të individëve. Thënia lapidare që i atribuohet Skënderbeut në momentin e mbërritjes së tij në trojet arbërore, se lirinë nuk e kishte sjellë, por e kishte gjetur aty, tregon se liria i rri natyrshëm çdo njeriu dhe çdo populli”, thuhet në mesazh.

“Çdokush që lufton për lirinë e një populli në fakt promovon atë çka i përket në thelb natyrës njerëzore dhe që e bën bashkëjetesën njerëzore më të mundshme dhe të bukur”, thuhet në mesazhin e Konferencës Ipeshkvore. Kjo e fundit, teksa falënderon kryeministrin për shpalljen e një viti jubilar për Gjergj Kastriotin Skënderbeun, thotë se duhet t’i drejtojmë vetes këto pyetje: Sot a ndjehemi vërtetë të lirë, pas 27 vjetësh nga rënia e komunizmit? Çfarë na shtyp akoma?

Cilat janë frikërat tona? Pse kaq vonesa për të hyrë në Bashkimin Europian, një ëndërr që na shoqëron gjithmonë? Pse nuk e duam atdheun tonë si etërit tanë që vdiqën për të, por ne duam të ikim prej tij? Kush janë armiqtë tanë sot, kundër të cilëve duam të luftojmë e t’i mundim së bashku: varfëria, zhvillimi i pabarabartë i shoqërisë tonë, korrupsioni, analfabetizmi, etj.? Kemi nevojë për një hov të fortë “ndershmërie” dhe “meritokracie” nga ana e të gjithëve për të mirën e kombit tonë.

Mesazhi mbyllet me njoftimin se dje u mbajt një meshë falënderimi në Kishën Katedrale të Lezhës në orën 9.00 paradite dhe pastaj u bë një ceremoni pranë memorialit të Skënderbeut. / Gazeta Shqiptare / KultPlus.com

Të ngjajshme