19 Shkurt, 2021 - 5:29 pm
Projekti “Parku i Artit” u prezantua sot në mjediset e Ministrisë së Kulturës, me pjesëmarrjen e e ministres Elva Margariti, kryebashkiakut të Tiranës, Erjon Veliaj dhe të ftuarve nga bota e artit e kulturës.
Tashmë projekti për shndërrimin e hapësirës së ish-Kinostudios në një Park Arti, i mbështetur me fondet e Bashkimit Europian është gati.
Margariti dhe Veliaj prezantuam vizionin për këtë kënd të kryeqytetit.
“Ka qenë një proces i gjatë dhe falë bashkëpunimit të frutshëm të studios projektuese “iRi”, kemi arritur të gjejmë balancën e duhur mes të shkuarës dhe të ardhmes, mes hapësirave të gjelbra, parqeve dedikuar fëmijëve, hapësirave ekspozuese dhe krijuese, pasurisë së gjigantit të dikurshëm kinematografik, aparatura, makina, garderoba”, u shpreh mes të tjerash ministrja e Kulturës, Elva Margariti.
Projekti mbulon mbi 16 mijë metra katrorë sipërfaqe të jashtme dhe mbi 2100 metra katrorë sipërfaqe të brendshme.
“Ajo çka kemi tepër për zemër është krijimi i Qendrës Kulturore, që parashikon të ketë që nga laboratorët fotografikë, studio muzikore, dublimi, produksioni, qeramike, sallë kinemaje, hapësirë ekspozimi, madje edhe hapësira akomodimi për artistët rezidentë”, vijoi Margariti.
“Nëse do të kujtohemi, në këtë zonë ka qenë një ngrehinë e bukur që ishte rrënuar dhe e abandonuar qëllimisht”, tha Margariti.
“Këtë projekt ne do t’ia japim në dispozicion artistëve. Ka qenë një sfidë e madhe e bërë nga të gjithë që kanë kontribuar. E gjithë zona dhe asetet janë pjesë e një pazëlli më të madh dhe Muzeu i Filmit është sfida jonë e radhës për të cilën po punojmë fort për t’i dhënë jetë pasi të përfundojë Parku i Artit”, u shpreh ministrja.
Zona, sipas saj, do të shërbejë jo vetëm si zonë për artin por edhe për punësimin e artistëve.
Ndërsa kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u shpreh shumë entuziast për fillimin e këtij projekti.
“Ky është një projekt që do të hasi në vështirësi si përherë ku do t’i duhet të kalojë etapën e cinizmit dhe kur ndryshimi të vijë do t’i harrojmë të gjitha dhe do t’i gëzohemi kësaj gjëje të re që ka lindur. Siç thoshte edhe Çurçilli jemi ne që i japim formë ndërtesave dhe më pas ato na japin formë ne”, tha Veliaj.
Sipas tij, investimet e kryera në Tiranë kanë bërë që të rriten çmimet e banesave dhe ne nuk e kemi luksin që këtë hapsirë të mos e shfrytëzojmë dhe kjo gjë do të ndodhi edhe këtu. “Arti dhe kultura gjenerojnë ekonomi sidomos në kohët të cilat po kalojmë”, tha ai.
“Në këtë periudhë arti është një vaksinë për shpirtin dhe shëndetin mendor. Për këtë infrastukturë shpirtërore ne kemi vërtetë shumë nevojë. Bashkia do të marrë përsipër të gjithë ndërhyrjen fizike në territor. Ne kemi vizionin për të ndërhyrë dhe përmirësuar të gjithë zonën përreth. Dicka të ngjashme do ndërtojmë si në zonën e ish-Kombinatit edhe tek bregu i lumit afër 5 majit”, tha Veliaj. /ata/ KultPlus.com