21 Korrik, 2018 - 11:14 am
Ishin kan vllaznue dielli e hana. Shkon hana ni dite per qef tu dielli edhe ja con ni pare tesha bakshish. Dielli gzohet edhe e pret mire. Mbas disa dite vjen dielli m’e pa hanen. S’i bjen kurgja. Hana i thot:
Qysh u ba puna kshtu? Une erdha e t’i pruna ni pare tesha bakshish, e ti s’um prune kurgja!
Dielli i tha:
Po ti kurre njejte s’po rrin: here hic, her n’ngjys, here e plote e nuk dita qysh me t’i pre teshat, per qata s’t’i pruna.
Marrë nga: Anton Çetta, “Prozë popullore nga Drenica”, Prishtinë, 1963.
Anton Çetta, lindi në vitin 1920 në Gjakovë dhe vdiq në vitin 1995 në Prishtinë, ishte shkrimtar, profesor letërsie e patriot shqiptar, i njohur për pajtimin e gjaqeve në Kosovë.
Ai mbaroi shkollën fillore në vendlindje, ndërsa të mesmen në Tiranë dhe Korçë. Studimet i mbaroi në Universitetin e Beogradit, ku diplomoi në gjuhë dhe kulturë romane. Për një kohë punoi si asistent në degën e gjuhës shqipe. Nga viti 1960 deri më 1968 ai ligjëroi lëndët: Letërsia e vjetër shqiptare, Histori e letërsisë dhe Gjuhë latine në Universitetin e Prishtinës. Libri i parë iu botua më 1953 dhe deri në vitin 1987, Çetta botoi 16 libra me përmbledhje folklori nga të gjitha viset shqiptare të Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë. / KultPlus.com