6 Tetor, 2024 - 8:00 pm
Një zbulim i bërë pak ditë më parë në fshatin Shënmri, afër Shëngjergjit në periferi të Tiranës ndryshon tërësisht historinë e zonës. Varreza e gjetur rastësisht nga punimet e rrugës, i përket periudhës helenistike dhe asaj arbërore.
Ndërsa hedh dritë mbi dy periudha, rëndësia është e dyfishtë” në një anë vërtetohet që zona është e banuar në periudhën helenistike, e dhënë që del qartë nga këto gërmime dhe e dyta, plotëson hartën vendbanimeve mesjetare, atyre të Arbrit duke konfirmuar vijimësinë e jetës dhe në Mesjetë, përpos Komanit apo Përmetit, edhe në zonën e Shëngjergjit.
Toponime në zonë, si Shën Marku, Shën Martini, Shën Pjetri e Shën Gjini, Bregu i Kishës, Kodra e Kishës, Gradishta apo Gradec që nënkuptojnë qytet a qytezë, që i referohen banimeve. Në periudhën e Arbrit, një varrezë me vendbanimin ishte aq larg sa i lejonte njerëzit e gjallë të shikonin se vrojtonin varrezat. “Pra kodra e varreve ku jemi, duhet të ketë një distancë të konsiderueshme, por që gjithmonë shihet me sy nga banorët. Kjo zonë do të na tregojë lidhjen me prapatokën e Tiranës e më tej”.
Arkeologu që ka ndjekur gërmimet në zonë, Mariglen Meshini, thotë se gjetja është e papritur. “Është i jashtëzakonshëm e identifikohen objekte të kulturës arbërore. Në zonën e Shëngjergjit është hera e parë. Inventari mortor, na jep të dhëna mbi atë kohë. Janë shekujt 7-11 të erës sonë, kultura arbërore që plotëson të dhënat për Arbërit në Mesjetën e hershme. Varreza ka një kohështrirje nga shek 4 para erës sonë deri në shekullin 11 pas erës sonë. Kjo zonë ka qenë e banuar në gjthë këta shekuj. Detyra jonë tani është të gjejmë vendbanimin. Sepse një kompleks funeral shoqërohet me një vendbanim. Po identifikojmë toponime me kisha, fortifikime, e gjetje të kulturës materiale në sipërfaqe. Kodra e varreve ku po bëjmë gërmime, varret e vjetra i ka poshtë, ato më të rejat më lart. Në varësi të periudhës, kanë orientime të ndryshme”, thotë ai.
Nga gjetjet e deritanishme, mund të kuptohet se popullsia që ka jetuar aty ka qenë e një shtrese të pasur. “Varret antike kanë jë material që i përket shtresës së pasur, sepse nuk bëjnë dallim nga gjetjet në qendra të zhvilluara antike si Durrësi, Apolonia, Lisusi antik, etj”, thotë Meshini, ndërsa sqaron e identifikimi si kulturë helenistike, është kufi kohor historik e jo me identitetar apo i lidhur me përkatësinë.
Zona rezulton të ketë pasur lidhje me Durrësin, por do jenë gërmimet në vijim që do të tregojnë më shumë./Balkanweb/ KultPlus.com