16 Janar, 2022 - 10:10 am
“Excelsior” ka botuar të shtunën e 26 prillit 1913, në faqen gjashtë, intervistën e Ismail Qemalit, zhvilluar në Champs-Elysées (Paris), pak kohë para se të nisej për në Konferencën e Londrës me qëllim mbrojtjen e interesave tona kombëtare. Intervistën mund ta lexoni si më poshtë:
Në dekorin modern dhe luksoz të një pallati të Champs-Elysées, Ismail Qemal Beu ngjason me një nga mjekët tanë të zonave rurale, me një fytyrë energjike, e rrethuar nga një mjekër e bardhë.
Kreu i qeverisë së përkohshme shqiptare, i cili u ndal disa ditë në Paris, para se të shkojë në Konferencën e Londrës, ende është nën ndikimin e emocioneve të shkaktuara nga lajmi i rënies së Shkodrës:
“Vërej me hidhërim, na thotë ai, se admirimi evropian shkon për malazezët, të cilët morën kryeqytetin tonë.
Dhe akoma më shumë, na fajësojnë për kërkesat tona! Unë e di se, në çdo kohë, mendimi i masave ka qenë në favor të fituesve, por ndjenja e së drejtës sonë duhet të mbizotërojë në mesin e diplomatëve.
Duhet të keni parasysh se na janë dashur vite për të shkundur zgjedhën turke, të cilës ne i kemi shkaktuar dhe shpejtuar humbjen e saj, për tu gjetur sot përballë çlirimtarëve më të zellshëm (etur) sesa shtypësit tanë të vjetër!
Në emër të lirisë së racave, malazezët hynë në luftë; A duan ata të na grabisin sot kryeqytetin tonë në emër të të njëjtit parim?
Megjithatë, Evropa qëndron e pandjeshme ndaj shkeljes së drejtave tona: ajo duket se na konsideron si disa fise sudaneze, të paaftë për tu qeverisur.
Gjithsesi, ne kemi dhënë prova të shkëlqyera për energjinë e racës sonë. Për shekuj me radhë, turqit kanë rekrutuar midis nesh zyrtarët më të mirë dhe ushtarët e tyre më të guximshëm.
Sot, të vetëm, të rrethuar nga ushtritë aleate, ne kemi ruajtur rendin, mbledhur taksat, formuar një milici, shkurtimisht, kemi siguruar jetën tonë të brendshme me burimet tona.
Ajo që na duhet tani është pavarësia e të gjithë territorit dhe kryeqytetit tonë, në mënyrë që, pa ardhur për të lypur në Evropë, të bëjmë Shqipërinë një shtet modern.
Natyrisht, ne do t’u kërkojmë vendeve fqinje këshilltarë dhe specialistë; ne do të jemi mirënjohës ndaj tyre për të na udhëzuar në fillimet tona, por ne duam të jemi vetëvetja, dhe nuk do të lejojmë që të ruhemi nga ndonjë fuqi.
Më akuzojnë se bëj lojën e njërës prej këtyre fuqive, por nuk është e ndaluar, mendoj, të tregoj ndonjë simpati për ata që na ndihmojnë, edhe nëse është për hir të interesit.” /darsiani/