27 Shkurt, 2019 - 12:27 pm
Jeta Zymberi
Në kabinetin e Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashit, sot ishin mbledhur një numër i njerëzve që veprojnë në fushën e trashëgimisë kulturore, këta që më kontributin e tyre kanë ndihmuar në ruajtjen e vlerave të vendit tonë, shkruan KultPlus.
Kishte një arsye të veçantë për këtë mbledhi. Sot u mbajt ceremonia e ndarjes së çmimeve në fushën e trashëgimisë kulturore.
Laureatët do të merrnin çmimet për kontributet e tyre në fushën e trashëgimisë. Në fjalën hapëse të kësaj ceremonie tradicionale të ndarjes së çmimeve në fushën e trashëgimisë, ministri Kujtim Gashi u shpreh i bindur që është bërë një përzgjedhje korrekte.
“Jemi munduar ta kemi një juri profesionale, profesorë e historian e persona nga shoqëria civile që e njohin mirë këtë fushë. Sa i përket vendimmarrjes duart i kanë pasur të lira sepse kemi konsideruar që janë njerëz adekuatë dhe profesional në këtë drejtim. Jam i lumtur sot si ministër që i ndajmë këto çmime që ti motivojmë për punën e vazhdueshme. Jemi të vetëdijshëm që asnjëherë puna që ju bëni nuk shpaguhet me vlera monetare por gjithsesi është një akt i joni i cili e vlerëson punën dhe angazhimin tuaj në këtë fushë. Ne si ministri e kemi një fokus të veçantë te pjesa e trashëgimisë kulturore, duke marrë parasysh që Kosova ka një pasuri të madhe të trashëgimisë kulturore dhe fokusi jonë do të jetë i vazhdueshëm në këtë drejtim”, u shpreh Gashi.
Ai tutje shpalosi çmimet e ndara. Çmimi për vepër jetësore në fushën e trashëgimisë “Dea Daranicae” ju nda profesorit Jusuf Osmanit, çmimi për merita të veçanta “Shtjefën Gjeçovi” ju nda Shemsi Krasniqit, çmimi për menaxhim institucional “Muhamed Shukriu” ju nda Milot Berishës dhe çmimi për vepër shkencore “Zef Mirdita” shkoi për Gjon Berishën.
Juria ishte e përbërë nga: Nuri Bexheti, arkeologu Shafi Gashi, historiani Agim Zogaj, arkitekti Bekim Ramku dhe Sali Shoshi arkitekt nga shoqëria civile.
Ndërsa Nuri Bexheti, kryetar i jurisë i arsyetoi para të pranishmëve çmimet e ndara duke u shprehur që barra më e madhe bie mbi jurinë që i ka marrë vendimet.
“Ka pasur një konkurrencë serioze në këtë punë por jam i nderuar që në krahun tim kam njërin ndër studiuesit më serioz të Kosovës, puna e të cilit është arsyetuar me vlerësime serioze. Jusuf Osmani ka një mal me vepra, një krijimtari të jashtëzakonshme dhe puna e tij e madhe pas luftës së Kosovës e dëshmon më së miri që çmimi për vepër jetësore në fushën e trashëgimisë “Dea Daranicae” i takon atij me plot meritë.” Ai vazhdoi tutje të arsyetoi çmimet duke i vlerësuar kandidatët si persona që kanë kontribuuar shumë në këtë fushë. Ai uroj që mos të ketë hatërmbetje sepse të gjithë kanë qenë të mirë.
I nderuar për ndarjen e çmimit për vepër jetësore u shpreh edhe Jusuf Osmani.
“Ju faleminderit për këtë mirënjohje të cilën e ndajë me shumë krijues të tjerë të trashëgimisë kulturore të cilët më kanë ndihmuar që të jap një kontribut modest në grumbullimin e të dhënave për fushën e trashëgimisë e cila është shumë me rëndësi për ne sepse trashëgimia kulturore është identiteti jonë kombëtar”, u shpreh ndër të tjera Osmani.
Falënderues ndaj ministrisë dhe jurisë u shprehën edhe fituesit të tjerë të çmimeve. Ata vlerësuan që është nderë ti mbajnë këto çmime dhe u shprehën se do të jenë peng të këtyre çmimeve për gjithë jetën. / KultPlus.com