2 Qershor, 2023 - 4:30 pm
Artefaktet e vjedhura kthehen në shtëpi. Autoritetet italiane, të mërkurën e 31 majit, treguan artefakte të vjedhura të riatdhesuara nga Londra në një operacion të kryer nga Ministria Italiane e Kulturës dhe Njësia e Karabinierëve për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore që synojnë luftimin e trafikimit ndërkombëtar të objekteve kulturore.
Sipas Ministrisë Italiane të Kulturës, grupi i artefakteve, të cilat mund të datojnë mes shekullit të 8-të p.e.s. dhe Mesjetës, arrijnë një vlerë monetare në rreth 12 milionë euro dhe ofrojnë një larmi të fakteve historike të Italisë së lashtë dhe ishujve të saj. Ndër objektet më të vlefshme të ekspozuara në Castel Sant’Angelo ishte një tryezë prej bronzi me tre këmbë, dy koka kuajsh, disa koka mashkullore prej mermeri nga epoka perandorake dhe një pikturë muri që përshkruante një tempull të vogël, ndoshta marrë nga një rezidencë vezuviane, italiane, tha Ministria e Kulturës.
Ministria italiane e Kulturës tha se artefaktet e vjedhura u gjetën pas negociatave të gjata me likuiduesit e Sajms Limitid, një kompani likuidimi që funksionon sipas ligjit anglez, e cila i përkiste një tregtari arti, Robin Symes, i cili rezultoi se ishte një trafikant objektesh kulturore.
Objektet e gjetura përfshijnë një sarkofag plumbi, fragmente mozaikësh dyshemeje të periudhës mesjetare, vazo, stoli ari, argjendi dhe bronzi dhe 26 gjerdanë argjendi dhe bronzi të ripunuara.
“Ky operacion rikuperimi përfshin rreth 750 artefakte arkeologjike të grabitura në Itali dhe në ishujt e saj. Rikuperimi është shumë i rëndësishëm për sasinë e gjetjeve, por edhe për shumëllojshmërinë e tyre. Fjala është për artefakte dhe objekte të llojeve të ndryshme që mbulojnë një shtrirje të gjerë kronologjike, nga epoka e hekurit, pra nga shekulli i tetë para erës sonë, deri në mesjetë.”
“Mund të themi se ky rikuperim, ose më saktë kjo rimarrje, është pjesë e një rruge 30-vjeçare që i ka lejuar Italisë të rifitojë trashëgiminë e saj të shpërndarë nëpër botë. Është një rrugë veçanërisht e rëndësishme dhe efektive që shkon paralelisht me mbrojtjen e kontekstit sipas vendit origjinë të gjetjes.” / a2cnn / KultPlus.com