4 Tetor, 2017 - 10:48 am
Ministri Kujtim Gashi priti sot në një takim njoftues ambasadorin e Italisë në Kosovë, Piero Cristoforo Sardi, me të cilin bisedoi për bashkëpunimin që ka Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit me Ambasadën e Italisë.
Ministri e ambasadori i vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyeshme mes Kosovës dhe Italisë në përgjithësi, e sidomos për angazhimin dhe koordinimin e përbashkët të Ambasadës dhe MKRS-së në realizimin e projekteve konkrete me qëllim të arritjes së planeve dhe politikave të ministrisë.
Ministri Gashi e falënderoi ambasadorin dhe përmes tij shtetin e Italisë për kontributin që ka dhënë populli italian në mbështetje të shtetit të Kosovës. Ministri ka veçuar përkrahjen e ambasadës në projektet që janë në interes të MKRS-së duke u shprehur se me intensifikimin e bashkëpunimit përfitimi do të jetë më i madh.
Ministri e ka informuar ambasadorin edhe për objektivat që kanë për synim që t’i realizojnë duke hartuar politika që janë në dobi të avancimit të fushave që ka në përgjegjësi ministria.
Nga ana e tij, ambasadori Sardi e falënderoi ministrin Gashi për pritjen dhe e uroi për marrjen e detyrës.
Ambasadori italian u shpreh se ambasada do ta përkrah ministrinë por edhe Kosovën në proceset e saj në afirmimin ndërkombëtar siç është anëtarësimi në UNESCO. Ambasadori Sardi tha se do ta mbështesë ministrinë edhe në avancimin i infrastrukturës ligjore./ KultPlus.com