20 Prill, 2019 - 11:58 am
Ish-presidentja Atifete Jahjaga do të dëshmojë para Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve në Kongresin amerikan për luftën në Kosovë dhe mungesën e drejtësisë për të gjitha krimet që kanë ndodhur para 20 vjetësh, transmeton Koha.net
Dëshmia që mbahet më 30 prill, është ftuar nga kongresisti amerikan Eliot Engel me kërkesën e ish-presidentes Jahjaga.
Ish-presidentja do të flasë për krimet e targetuara tek popullata civile e Kosovës dhe mungesën e drejtësisë, si dhe kërkesën për drejtësi si parakusht për normalizim të raporteve në mes të Kosovës dhe Sërbisë.
Gjatë seancës do të dëgjohen edhe dëshmitë e Vasfije Krasniqi Goodman, e mbijetuar e dhunës seksuale në Kosovë, dhe Ilir Bytyqi, tre vëllezërit e të cilit janë vrarë gjatë luftës. Për më tepër, Paul Ëilliams, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare, do të flas për luftën në Kosovë nga perspektiva e të drejtës ndërkombëtare.
“Është duke u punuar maksimalisht për të siguruar përfaqësim dinjitoz të historisë tonë, për hir të të gjithë atyre që sakrifikuan shumë për lirinë që gëzojmë sot, e që ende nuk kanë drejtësi. Presidentja Jahjaga është tejet mirënjohëse ndaj të gjithë atyre që kanë përkrahur këtë iniciativë, si në Kosovë ashtu edhe në diasporë, dhe kanë ndihmuar duke ofruar informata dhe dëshmi. Vetëm kështu do t’i tregojmë botës historinë e vërtetë të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Zyrës së ish-presidentes Jahjaga.