11 Qershor, 2019 - 3:24 pm
Madeleine Albright, ish-sekretarja e SHBA-ve, zonja më e respektuar për shqiptarët, sapo ka arritur në Kosovë për të ju bashkuar festimeve për shënimin e 20-të vjetorit të lirisë së shtetit kosovar, ku me këtë rast ajo nesër do të mbajë një fjalim për ndërhyrjen e aleancës së NATO-s në Kosovë.
Ish presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e ka pritur në aeroport Madeleine Albright prej ku ka ndarë edhe disa fotografi të cilat i shoqëroi me një falënderim të veçantë për ish-sekretaren e SHBA-ve për gjithë kontributin e saj dhënë për vendin tonë në kohën më të vështirë. Ajo është shprehur krenare që ka pritur Albright duke e konsideruar si një nga kontribuueset më të fuqishme në lirinë dhe Pavarësinë e vendit tonë.
“Jam krenare që, njëzet vite pas çlirimit, të mirëpres në Kosovë ish-Sekretaren Amerikane të Shtetit, Madeline Albright- njërën nga kontribuueset më të fuqishme në lirinë dhe pavarësinë tonë. Vendosmëria dhe përkushtimi i Sekretares Albright për ta ndalur gjenocidin në Kosovë dhe për t’ia kthyer lirinë dhe shpresën një populli të shtypur ishin kruciale për të ardhmen e popullit tonë. Sekretarja Albright, e cila ishte e pakompromis ndaj dhunës që regjimi i Millosheviqit po ushtronte në Kosovë, sot erdhi në një Kosovë që kultivon vlerat për të cilat ajo është angazhuar- lirinë, demokracinë, tolerancën dhe paqen.
Përjetësisht mirënjohës!”, ka shkruar Jahjaga në Facebook. / KultPlus.com