Jeta muzikore dhe Radio Televizioni i Prishtinës 1975-1990

6 Tetor, 2021 - 4:27 pm

Shkruan: Rafet Rudi

Sigurisht për një kompozitor të ri, të sotëm, do të ngjallë habi se pse duhet të flitet në veçanti për Radio-Televizionin e Prishtinës, nëse qëllimi i shkrimit është jeta muzikore e viteve ’70-ta në Prishtinë. Arsyeja është fare e thjeshtë: jeta muzikore, në mungesë të institucioneve të pavarura, si Teatri i Operës apo të Filharmonisë, ka qenë plotësisht e varur nga kjo shtëpi radio-difuzive. Në fushën e muzikës klasike kjo lidhmëri ka qenë veçanarisht, më e dukshme. Edhe festivalet e muzikës klasike të asaj kohe, dy sosh, sa ishin (por edhe festivalet e zhanreve të tjera të muzikës), të gjitha, kanë qenë të lidhura me të. Në një periudhë të ndieshme të ndërtimit të jetës muzikore, që ka zgjatur për shumë vite, ka qenë e paparamendueshme nisja e ndonjë aktiviteti të rëndësishëm në fushën e muzikës, pa ndihmën direkte të tij.

Shtëpia e Radio-televizionit të Prishtinës, në e zenitin e saj, ka qenë një organizëm gjigant, me një veprimtari maksimalisht të shtrirë në shumë fusha. Ka vepruar me një koncepcion udhëheqjeje plotësisht të centralizuar dhe me subordinim të rrept të punës. Në jetën e saj të gjatë, dy data janë të rëndësishme: fillimi i punës së Radio stacionit të parë publik në Kosovë, në vitin 1945 në Prizren dhe fillimi zyrtar i punës së Radio-Televizionit të Prishtinës në nëntorin e vitit 1975. Që nga kjo kohë ky institucion fillon të zgjërohet me një numër të madh të punësuarve të të gjitha profileve. Për shkak të mundësive teknike që kjo shtëpi kishte mundësi të ofrojë, edhe për shkak të numrit të madh të profesionistëve muzikorë (instrumentistëve, krijuesve të të gjitha profileve, që ajo mblidhte në gjirin e vet, RTP-ja ka determinuar në çdo aspekt jetën muzikore të vendit. Nuk është çudi që, në momentin kur është ndërprerë puna e saj (me përzënjen e puntorëve shqiptarë të saj), në korrikun e vitit 1990, ajo ka pasur hiq më pak se 1300 të punësuar! Ndonëse ky institucion, formalisht i ka dhënë llogari dhe i është bind themeluesit të vet, Kuvendit të Kosovës, në realitet atë e ka kontrolluar plotësisht partia në pushtet, Lidhja e komunistëve (e jo Kuvendi).

Përnga organizimi nominal radiotelevizionet, në të shumtën e rasteve, në vete kanë pjesën foljore dhe atë muzikore, me një dominim të lehtë të kësaj të parës. Pjesa muzikore e RTP-së te na ka qenë e kyçur në mënyrë direkte në profilimin dhe zvhillimin e veprimtarive kulturore (muzikore), sidomos në periudhën e parë gjashtëvjeçare (1975-1981)

Në të kanë vepruar: Orkestra simfonike, Kori profesional, Orkestra popullore, Orkestra (popullore) turke, Orkestra e muzikës zbavitëse, Kori i fëmijëve.

Produksioni muzikor dhe Programi muzikor

Fusha e muzikës pranë RTP-së, që mund të ketë pasur rreth 3-400 të punësuar, ka vepruar e ndarë në dy sektore:

1) Produksioni muzkor, si njësi udhëheqëse të veçantë, që ka koordinuar (dhe ndikuar) në veprimtarinë e të gjitha formacioneve orkestrale të përmendura më lart përmes redaktorëve dhe producentëve respektiv, kurse sektor i dytë i veprimit ka qenë
2) Programi muzikor, i ndarë në disa katër redaksi (të muzikës serioze, muzikës zbavitëse, muzikës popullore dhe redaksinë të muzikës për fëmijë). Edhe programi muzikor, është udhëhequr nga një kolegium i veçant me drejtori të veçant (e pavarur në funksionim nga Produksioni muzikor). Përveç kësaj, ka ekzistuar nototeka dhe diskoteka (arkivi), me një fond mjaft të pasur të disqeve (të muzikës klasike, zbavitëse kryesisht botërore) dhe shiritave manjetik të muzikës sonë kombëtare të të tri zhanreve. Pasurimin e fondit të inçizimeve e ka plotësuar vazhdimisht
Produksioni muzikor, me prodhimtarinë në të gjitha fushat muzikore. Tërë këtë fond arkivor e kanë shfrytëzuar, në bazë ditore, të gjitha redaksitë, sipas nevojave të tyre të veçanta. Programi është emituar në tri gjuhë, me ç’rast vëllimi i madh ka qenë në gjuhën shqipe. Përpos kësaj, RTP-ja ka qenë pjesë e Radio-televizionit jugosllav (JRT -Jugoslavenska Radio Televizija) – i cili ka pasur një bord udhëheqës në Beograd, me antarë të të gjitha qendrave republikane (krahinore). Në këtë bord janë koordinuar orientimet programore, kahjet e zhvillimit, modelet e përgjithshme të funksionimit, janë analizuar efekti i veprimtarisë së tyre, janë shkëmbyer drejtpërdrejt përvojat në mes shtëpive, janë evidentuar bashkëpunimet e ndryshme për projekte të përbashkëta etj.

Sdo mend, RTP-ja ka pasur një organizim mjaft të mirë të punës dhe organizim logjik të funksionimit në të. Ky model i organizimit ka qenë unik, për të gjitha qendrat republikane (krahinore). Kjo mënyrë organizative ka pasur rëndësi, sidomos, për shtëpinë tonë radio difuzive, meqë në mungesë të përvojës, ajo ka aplikuar këto modele avansuese organizimit të punës dhe funksionimit të mbrendshëm.

Koncertet e Orkestrës simfonike dhe Korit profesional të RTP-së, pasurimi i jetës muzikore në qytet

Angazhimet e formacioneve orkestrale të Radio Prishtinës, nuk kanë qenë të kufizuara vetëm në veprimtarinë (obligative) e tyre themelore, që ka nënkuptuar pasurimin e fondit arkivor për nevojat e programit muzikor, por ato kanë zhvilluar veprimtari plotësuese me koncertet publike, me çka është mbajtur gjallë jeta muzikore profesionale. Kori dhe Orkestra e RTP-së kanë qenë dy formacione boshte të jetës muzikore në Prishtinë. Orkestra simfonike e RTP-së ka mbajtur koncerte mujore me program të ri, me dinamikën që sot mban edhe orchestra e Filharmonisë së Kosovës. Kurse në fazën e rritjes së saj, ajo ka arritur që koncertet premiale t’i ketë (në ndonjë periudhë) edhe për çdo dy javë. Ndërkaq Kori profesional paraqitjet para publikut i ka pasur edhe më të shpeshta. Orkestra simfonike sikurse edhe Kori Profesional janë paraqitur rregullisht në të gjitha festivalet kryesore më me renome që janë organizuar në nivel jugosllav.

Aktualizimi i krijimtarisë së kompozitorëve kosovarë përmes RTP-së

Është një numër i madh i avantazheve që jeta jonë muzikore ka përfituar nga ky lloj organizimi, jo vetëm në pasurimin dhe dinamizimin e jetës muzikore në qytet, por siq do të shihet në vitet e ardhshme në vijim, me përfshirjen e krijimtarisë së kompozitorëve kosovarë në programet e Korit dhe të Orkestrës, pozita e kompozitorëve kosovarë (të muzikës klasike), në këtë kohë fillon të përmirësohet, në çdo aspekt:

-Orkestra simfonike dhe Kori professional i RTP-së, rregullisht dhe, të thuash në mënyrë obligative, inkuadronin vepra të autorëve tanë në programet e rregullta të tyre. Këto dy ansamble të vetme profesionale tek ne, bënin në mënyrë permanente regjistrimet (në studion profesionale të Radio-Prishtinës) të veprave të autorëve kosovarë.

-Veprat e kompozitorëve tanë arkivoheshin patjetër në shirita cilësor në diskotekën/magnotekën e RTP-së

-Formacionet e vlefshme kamertale që vinin në Prishtinë (në kuadër të Festivalit, atëherë të vetmin, ‘Skena Muzikore e Prishtinës’) rregullisht bënin inçizimin tonik të programit koncertal të tyre, në Studion e RTP-së, Kjo kishte rëndësi, sidomos, për shkak se inçizoheshin veprat e autorëve vendas.

-Të gjitha koncertet e rëndësishme të muzikës serioze regjistroheshin për nevojat e radios. Ato emitoheshin në television apo edhe në radio, si programe të veçanta, apo në emisionet e muzikës klasike të parapara sipas skemës programore javore.

-Radio-Prishtina vite me rradhë ka pasur Konkursin vjetor për vepra të reja, të disa gjini të rëndësishem (Kategorija e veprave simfonike, Kategoria e veprave koncertante, Kategoria e veprave kamertale, Kategoria e veprave vokalo-instrumentale, Kategoria e veprave korale etj.). Konkursi, i cili ka pasur më tepër karkterin e një konkursi blerës, ka qenë një nxitje e madhepër krijimtarinë e kompozitorëve tanë të fushës së muzikës klasike.

Ngjashëm, me konkurse të veçanta dhe me Festivalin Akordet e Kosovës, janë stimulluar edhe kompozitorët e fushave të tjera.

-Radio-Prishtina ka pasur rol edhe në afirmimin e artistëve tanë reproduktiv. Shumë prej artistëve tanë reproduktiv, në këtë kohë, inçizimiet e tyre të para i kanë bërë pikërisht në studion e Radio-Prishtinës. Në këtë mënyrë Radioja ka pasuruar fondin e saj e në anën tjetër, artistët tanë kanë gjetur shansën e tyre që veprimtaria e tyre të arkivohet.

-Në rastet kur një vepër simfonike e autorit tonë, vepër ndonjë formacion qa ska ekzistuar këtu (për kuartet, trio etj., ) ajo është dërguar në studiot profesionale të Radio-Beogradit, Radio-Zagreb apo Radio-Ljubjanë për regjistrim. Kjo është bërë falë bashkëpunimit të mirë dhe, të thuash rutinor, që ka ekzistuar në mes Radio-institucioneve jugosllave.

-Siç dihet, drejtat e autorit të kompozitorëve tanë kanë qenë të mbrojtur nga ana e institucionit të përbashkët që është quajtur ZAMP (“Mbrojtja e drejtave të vogla autoriale”). Çdo redaktor i programit muzikor, ka qenë i obliguar të regjistronte çdo përdorim të veprave tona për nevojat e rregullta të programit (duke shënuar sakt veprën dhe datën e përdorimit). Ato shënime janë përcjellur në ZAMP. Kurse, në fund të vitit, çdo autor është rimbursuar për veprat e tia që kanë qenë të përfshira në program.

-Në skemën programore të Radios por edhe të televizionit, kishte madje emisione tematike me vepra të autorëve vendas. Veprat e kompozitorëve kosovarë filluan të figurojnë mjaft në emisionet programore të të dy kanaleve të radios. Në këtë mënyrë, me këtë lloj të mbrojtjes autoriale, pozita materiale e krijuesëve kosovarë ishte më e qëndrueshme.

E gjithë kjo e cekur më lart është një shembull i shkëlqyeshëm i mbrojtjes të mirë të drejtave autoriale. Dhe kjo është bërë, me një organizim të sakt dhe të disciplinuar (sipas protokollit të paracaktuar) të funksionimit të kësaj shtëpije. Përgjithësisht, duhet thënë se krijimtaria e kompozitorëve tanë, në këtë periudhë të shkurtër, ka pasë një përkujdesje shoqërore të konsiderueshme. Është përcjellë me përpikëri një praktikë e mirë që ka ekzistuar në qendrat e zhvilluara të vendit në kultivimin, ruajtjen dhe aktualizimin permanent të muzikës së kompozitorëve vendas. Nëse e vështrojmë rrjedhën e Radio-Prishtinës ndër vite, që nga fillimet e saja deri më sot, mund të konkludohet se periudha në fjalë (1975-1990) ka qenë një periudhë e artë e një institucioni të till (përkundër mundësive të kufizuara kadrovike të kohës).

Duhet theksuar që ky zhvillim disavjeçar aq i madh (me zgjërim permanent programor) i Radio-televizionit, institucion që kishte rëndësi të madhe shoqërore, por gjithsesi, edhe kulturore, e që kishte filluar më 1975 arriti kulmin në vitin 1980 -1981. Me fillimin e krizës politike jugosllave, përkundër sulmeve të mëdha, të gjitha segmentet e RTP-së, arritën t’a mbajnë gjallë vëllimin e aktiviteteve të tyre. Megjithatë në fund të viteve 80-ta (sidomos me ardhjen formalisht në pushtet S. Milosheviq), gjërat degradojnë jashtë mase.

-Në korrik të vitit 1990 nga Radio-televizioni u dëbuan të gjithë puntorët shqiptarë. U ndërpre puna e Orkestrës simfonike u ndërpre puna e Korit profesional të Radios, u ndërpre puna e orkestrës popullore dhe asaj zbavitëse, madje u ndërpre edhe puna e Korit të fëmijëve! U ndalua emitimi i krijimtarisë së kompozitorëve kosovarë/shqiptarë.

-Gjatë një dekade (të viteve ‘90-ta, asnjë i punësuar i Radio-televizionit të Prishtinës nuk ka pasur të drejt të hyn në objektin e tyre të dikurshme të punës.

-Jeta muzikore institucionale që ishte e lidhur aq ngusht me Radio-televizionin, u ndërpre plotësisht.

-Të gjitha këto njësi të rëndësishme muzikore që e bënin të gjallë jetën muzikore, asnjëherë më nuk rifilluan punën.

Me të kthyer nëntë vjet pas, çka gjetën muziktarët që kishin punuar me vite në objektin e Radios:

-Studioja profesionale që konsiderohej si një prej objektet më moderne në ish Jugosllavi, e cila kishte një zgjidhje arkitekturore bashkëkohore, objekt në të cilën mbante prova Orkestra simfonike, ishte plotësisht e demoluar! Në këtë sallë, përpos inçizimeve studike në të mbaheshin edhe koncertet e muzikës klasike. Pajisjet moderne teknike, që posedonte kjo sallë, të gjitha ishin vjedhur.

-Salla e Korit profesional ishte, gjithashtu, e demoluar.

-Dhomat, ku ishte vendosur nototeka, ishin shkatruar plotësisht. Në të nuk kishte mbetur asnjë partiturë e vetme! Në të nuk pash asnjë fletë prej materialeve orkestrale dhe korale, që me shumë mund ishin kompletuar për dekada me rradhë.

Post scriptum

Unë, që në këto hapësira, kisha hyr, për shtatë vite me rradhë për çdo ditë të javës, si dirigjent i Korit profesional për shtatë sezona koncertale, thjeshtë, e kisha vështirë t’i identifikoj kthinat e dikurshme. Sot e kësaj dite, nuk e kam të qartë se me çfarë “pedantërie” ishin zhdukur të gjitha gjurmët e një objekti kulturor. Si është e mundur që të gjitha muret e kthinave (të cilat kanë qenë të mbështjella me dërrasa speciale), instalacionet elektrike, të gjitha (ama plotësisht të gjitha!) ishin zhdukur! E pabesueshme!
Në këtë situatë shokante në të cilë unë u gjenda, me të bërë hapin e parë në këtë objekt, të parin pas nëntë vjetëve, për mua kishte jo vetëm një zymtësi të padurueshme por edhe dhembje të trishtueshme. Disa partitura që unë e dija se i kam aty, ndër to vepra ime “Një kohë koncertante për Piano e Orkestër të madh simfonik” (ishte vepra e parë koncertante pianistike në muzikën kosovare!), kopja e vetme e saj, e cila kishte mbetur në nototekë. Unë e dija se kjo ishte kopja e vetme, por, për nëntë vite me rradhë, nuk ndërmerja asnjë hap me qëllim (ashtu mendoja!) se në heshtje, partitura nuk do ta trazoj askend. Isha i bindur se askush s’merret me një “Koncert për piano e Orkestër”, dhe mendoja se një ditë do ta kem përsëri në bibliotekën time… por, nuk ndodhi ashtu
Sot e kësaj ditë, nuk e dij se kush ka mundur ta bëj një akt të till vandal, të shkatroj një bibliotekë të plotë me nota, me materiale orkestrale, ndër to edhe partitura të vlefshme të autorëve tanë. Nuk mund të besoj se këtë e kanë bërë ish kolegët tanë, me të cilët ne kemi punuar bashkarisht, vite me rradhë. Po të ishte fjala për piktura, skulptura – vepra “të dukshme” arti, do ta kuptoja disi. Tek e fundit, mund ta kuptoja edhe shkallën e urrejtjes që ekzistonte aso kohe, por të shkatërrohet pamëshirshëm një pasuri e till kulturore, e cila objektivisht ska mundur t’i hyj askujt në punë…kjo ka vetëm një fjalë – barbari! Thjeshtë është shkatërruar për të shuar instinkte barbare!

Rrëno (shkatërro!), për të ndërtuar të renë- ”Rusimo staro, gradimo novo”

Gjithsesi, të gjithë muziktarët shpresonin që me t’u kthyer në vendet e punës, Radio-televizioni do të mund të gjej shkëlqimin e vjetër, që aq shumë ka bërë në periudhën e parë. Mjerisht nuk ndodhi ashtu. Situata ishte në fillim fare konfuze. Administruesit e ri (të Unmikut), ata që ishin të ngarkuar zyrtarisht që të revitalizojnë jetën edhe në fushën e kulturës (në mesin e tyre kishte nga të gjitha kontinentet (nga Azia e nga Afrika), nuk kishin ide të qartë se cila detyrë sakt ata i pret. Kryesisht veprohej sipas gjykimeve personale. Të huajt që erdhën këtu në RTP (nga radiot e ndryshme të Europës dhe në veçanti nga BBC-ja etj.) në ditët e para të pasçlirimit, ishin pothuajse të bindur se misioni i tyre është – formimi i një institucion të ri, të bindur se ky institucion po ndërtohet nga zeroja (!). Grupet e reja të interesit, të shoqërisë tonë të re, të përfaqësuar nga individë me nivel të pamjaftueshëm intelektual si duket nuk e dinin rëndësinë e këtij institucionit në planin e kulturës. Ata ishin të bindur se gjithçka që ka qenë më parë duhet shembur dhe “duhet gjithçka të filluar nga zeroja”. Një pjesë e profesionistët të dikurshëm (profesionistët teknik, inxhinierët, redaktorët të të gjitha redaksive etj.) ishin ftuar për të vazhduar punën, por, sipas organizimit të ri, nuk ishte paraparë rinisja e ansambleve muzikore (!). Kjo pjesë e të ftuarëve, pothuaj se kishin “ndjenjë faji” dhe silleshin si një shtresë e “anatemuar” e shoqërisë “së vjetër”, kështuqë lehtë e pranuan transformimin e institucionit të tyre “që do të fillonte nga zeroja”. Si duket të gjithë (edhe të huajt e edhe vendorët), në mënyrë të heshtur pranuan që radios së dikurshme (dhe në veçanti produksionit muzikore) t’i humben gjurmët! Ky “pragmatizëm” i shprehur tek të gjitha palët, u bë me qëllim që udhëheqësia e re, udhëheqësia e “institucionit të sapoformuar” të mos obligohet për punësimin të detyrueshëm të puntorëve të dikurshëm (!). U shfaqë edhe sindromi i ynë: “rrëno (shkatro), për të ndërtu të renë”. Sikur të gjithë ishin të një mendim: ta shembim (apo së paku, ta harrojmë) në themel institucionin e vjetër dhe të ndërtojnë një institucion të ri, i cili nuk do të paraqet (kjo kishte rëndësi!) vazhdimësi të mediumit publik të dikurshëm (Radio-Televizionit të dikurshëm).

Pasojat ishin të konsiderueshmë dhe sot e kësaj dite i vërejmë. Në organizimi të ri, medium ynë publik, Radio-televizioni i Kosovës, është radio stacioni i vetëm publik në Ballkan dhe në Europë (institucion me prerogative të qarta shtetërore) që sot nuk ka Orkestër simfonik të vetin, është i vetmi radio-stacion që nuk prodhon muzikë të veten (meqë nuk ka Produksion të vetin muzikor), dhe është institucion i vetmi në rajon, që ka të braktisura një mori aktivitetesh dhe përgjegjësish ndaj kulturës (kulturës muzikore, në veçanti), që sot i kanë të gjitha institucionet simotra në Europë, duke filluar nga Shkupi e Tirana e gjetiu, në tërë Europën e gjërë.
Ja, kështu u shua përgjithmonë Radio-Televizioni i Prishtinës. Nëse do të kishim bërë një paralele, të këtij institucioni publik të atëhershëm dhe atij sot, do të vërenim përparësitë të pakrahasueshme të atij organizimi dhe përmbajtjen programore të dikurshme. Në organizimi të ri, medium ynë publik, Radio-televizioni i Kosovës, është radio stacioni i vetëm publik në Ballkan dhe në Europë (institucion me prerogative të qarta shtetërore) që sot nuk ka Orkestër simfonik të vetin, është i vetmi radio-stacion që nuk prodhon muzikë të veten (meqë nuk ka Produksion të vetin muzikor), dhe është institucion i vetmi në rajon, që ka të braktisura një mori aktivitetesh dhe përgjegjësish ndaj kulturës (kulturës muzikore, në veçanti), që sot i kanë të gjitha institucionet simotra në Europë, duke filluar nga Shkupi e Tirana e gjetiu, në tërë Europën e gjërë.Është e vërtet, kohë më pas u formua Filharmonia e Kosovës dhe Kori i Filharmonisë, por kjo nuk do të thot se është dashtë kjo të bëhet me kusht të ndërprerjes së punës së formacioneve të dikurshme dhe shuarjes së Produksionit muzikor.
Sa për informacion të publikut, në shtatë qendra të tjera të Jugosllavisë së dikurshme, pas ndryshimeve të mëdha politike, pas pavarësimit të tyre, të gjithat ato, arritën ta ruajnë strukturën organizative të tyre të mëparshme të mediumit të tyre publik. Me këtë u shua një mbështetje e madhe që jeta muzikore (dhe jeta kulturore në përgjithësi) kishte në mediumin publik qendror.
Është e vërtetë, kohë më pas u formua Filharmonia e Kosovës dhe Kori i Filharmonisë, por kjo nuk do të thot se është dashtë kjo të bëhet me kusht të ndërprerjes së punës së formacioneve të dikurshme dhe shuarjes së Produksionit muzikor. Gjithashtu sot që jemi në proces të ndërtimit të trupës (jo ndërtesës!) së Operës, sfida është e njejtë. Asnjë segment i këtij institucioni nuk duhet të formohet duke shkatërruar rrënjët. Me konkretisht, Filharmonia me dy njësi ekzistente (Orkestrën dhe Korin) duhet të mbetet e paprekur në organizimin e saj. Prishtina në një të ardhme shumë të afërt duhet t’i ketë, pa diskutim, tri orkestra themelore të funksionimit si kryeqendër kulturore në vend (Orkestrën e Filharmonisë, Orkestrën e Radios dhe Orkestrën e Operës), mu ashtu sic sot i ka Tirana, Shkupi e të gjitha qendrat tjera europiane.
Ta evitojmë patjetër përsëritjen e sindromës tonë të njohur, të shfaqur në mënyrë tragjike njëzet një vjet vjet më parë: “rrëno (shkatërro), për të ndërtuar të renë”.

Rafet Rudi
Prishtinë 30.09.2021
(marrë nga LIBRI i KUJTIMEVE, në pregaditje)
foto: 1. Kori dhe Orkestra e RTP-se /Salla e Kuqe prill 1985/
2. Kori profesional i RTP-se ne “Lojrat verore te Dubrovnikut” /korrik 1982-Pallati SPONZA
/ KultPlus.com

Të ngjajshme