10 Dhjetor, 2019 - 1:30 pm
Nga Valdrin Vlesha
Jufkat e Dibrës… Jufkat e Dibrës tashmë janë një ushqim që janë të njohura kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht. Më poshtë do ju përcjell një historik të shkurtër rreth krijimit të jufkave të mbledhur nga vetë unë duke takuar njerëz të ndryshëm në zonën e Dibrës së Madhe dikur ka qenë një Dibër. Jufka daton të jetë një produkt ushqimor shekullor. Ky produkt është prodhim autokton i zonës së Dibrës së Madhe. Ka përbërje 100% organike me bazë miellin e grurit i bluar në mulli me ujë, vezën e pulës të rritur e të ushqyer në natyrë dhe qumësht lope të kullotur në bjeshkët e Dibrës. Pas procesit të përgatitjes jufkat priten me thikë sipas dëshirës por e mira është me një trashësi diku ke 1.5cm dhe lihen të gjata diku me një gjatësi që varion nga 10-15 cm. Historia e jufkës është paksa interesante dhe pak sa si legjendë. Mendohet që prodhimi i tyre ka filluar që në mesin e shekullit të XIV nga familjet ortodokse ne zonën e Rekës. Dibra si një zonë malore dhe me një klimë relativisht të ftohtë dimri zgjat diku afërsisht 5-6 muaj, dhe për rrjedhojë përgatitjet për dimër fillojnë që ne vjeshtën e hershme. Nga takimi me Efimin( ortodokse) një zonjë nga Reka e Epërme tregon që jufka (petka) ka një legjendë interesante ku tregon që mielli i grurit simbolizon bardhësinë (zemërgjerësinë dhe mikpritjen e dibranëve) , veza simbolizon bërthamën (familjen), qumështi (begatinë) është tretësi dhe bën lidhjen në këtë rast, që të 3 këto përbërës shkrihen në një dhe krijojnë jufken që del si kërc i fortë, ku ky kërc simbolizon familjen e bashkuar dhe të shëndetshme, Efimi është diku rreth 85vjec dhe këtë histori ja ka treguar gjyshja e saj ku gjyshja e saj e kishte trashëguar nga paraardhësit e saj. Po të njëjtën histori e tregon dhe Dimitra banore po aty. Pra nga historia e Efimit dhe e Dimitrës janë një dëshmi e rëndësishme që tregojnë se jufka është ushqim i zonës së Dibrës. Ndërsa në Dibër të Madhe ka një histori tjetër që tregohet për jufkat. Sipas Asimes një zonjë e vjetër që banon në Banisht një fshat pranë qytetit tregon që jufkat janë bërë si rezultat pasi kanë proteina e vitamina. Që në dimër ky ushqim shërben për të na mbrojtur edhe nga i ftohti. Asimja, një grua me moshw diku tek të 60-tat tregon që jufka është një ndër zahiret më kryesore për stinën e dimrit ku përgatitet në kushte shtëpiake. Ajo shton: mbaj mend kur ikja ke gjyshja e nënës sime në kohën kur isha fëmijë gjyshja mbyllte më çelës odën ku përgatiteshin jufkat. Referuar këtyre dy tregimeve që ndava me ju unë arrij në konkluzion që ky produkt tashmë është i zonës së Dibrës dhe zonat për rreth e njohin vetëm si produkt Dibran. Gjithsesi duhet një studim më i gjerë rreth këtij produkti për ta përforcuar dhe ta ditur më të detajuar historinë e jufkave. Këto dy histori janë një gur themeli për mbledhjen e të dhënave rreth Jufkave të Dibrës. / KultPlus.com