26 Qershor, 2020 - 9:18 am
Mirëmbajtja e monumenteve të kulturës po kryhet kudo në vendin tonë, me qëllim mirëpritjen e turistëve në një mjedis të pastër, transmeton KultPlus.
Punonjësit e mirëmbajtjes në Gjirokastër kanë nisur punën për kujdesin dhe pastrimin e monumenteve të kulturës për sezonin e ri turistik.
Gjatë ditëve të fundit ata kanë pastruar nga vegjetacioni mjediset e jashtme të kalasë, që në këtë sezon të ri do të mirëpresë vizitorë vendas e turistë të huaj.
Falë vlerave historike dhe arkitektonike që mbart kalaja e gurtë e Gjirokastrës, ajo vazhdon të ngelet monumenti më i preferuar për t’u vizituar nga grupet turistike vendase dhe të huaja përgjatë guidave dhe udhëtimeve të tyre në zonën e Gjirokastrës.
DRKK Gjirokastër në kuadër të çeljes së sezonit turistik ka vendosur edhe tabelat orientuese për Parkun e Adrianopolit me qëllim orientimin dhe informimin e vizitorëve.
Kalaja përmendet për herë të parë si qytet dhe Kështjellë në vitin 1336. Megjithatë historianë të ndryshëm mendojnë së ekzistenca e Kalasë së gurtë është më e hershme. Kulmin e historisë së saj kjo kështjellë do ta kishte në periudhën e Pashallëkut të Janinës kur Ali pashë Tepelena do të realizonte një sërë ndërtimesh të reja apo ndërhyrje të tjera, duke i dhënë Kalasë së Gjirokastrës fizionominë arkitektonike dhe ndërtimore që ka sot. /atsh/ KultPlus.com